Letra e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë ka arritur në Kabinetin e Presidentit Ivanov, por ai nuk ka ndryshuar qëndrim dhe refuzon ta japë mandatin për krijimin e qeverisë së re.

 “Presidenti Ivanov pret që lideri i LSDM-së të përmbush fjalën e dhënë se bashkë me partnerët e koalicionit do të sigurojnë garanci për ruajtjen e karakterit unitar të shtetit dhe se gjithçka do të jetë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë”, tha kabineti i Presidentit,  sipas Alsat-M.

“Ivanov mbetet në qëndrimin se e ashtuquajtura “Platformë e Tiranës”, por edhe çfarëdo qoftë dokumenti tjetër, akt apo veprim që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë nuk mund të jetë kusht, e aq më pak kusht për formimin e Qeverisë në Republikën e Maqedonisë. Sa i përket dhënies së mandatit Presidenti i Maqedonisë do të veproj në bazë të kushtetutës dhe praktikës së deritanishme”, thotë më tej njoftimi.

Presidenti Ivanov ka refuzuar deri më tani të mandatojë Zoran Zaevin për krijimin e qeverisë së re, duke i hapur rrugë një krize politike në vend që herë pas here ka rrëshqitur edhe në dhunë.

Dhuna kulmoi natën kur kryetar i Parlamentit u zgjodh për herë të parë një shqiptar, Talat Xhaferi i BDI-së. Qindra mbështetës të ish-kryeministrit Gruevski hynë në godinë dhe dhunuan shumë deputetë, përfshirë deputetin shqiptar Ziadin Sela dhe kandidatin për kryeministër, Zoran Zaev.