vrasje4 të vrarë është bilanci i masakrës me armë që Bashkim Latollari kreu mbrëmjen e së martës në Gjonomadh të Korçës. 40-vjeçari, vrau  dy çifte bashkëshortësh, të afërm mes tyre.

Viktimat janë Belimon dhe Daniela Meçollari, 31 dhe 30-vjeç dhe Rexhep e Valentina Metollari, 55 dhe 50-vjeç.

Autori e nisi masakrën rreth orës 19.00 të mbrëmjes. Në gjendje të dehur dhe i armatosur me një pushkë automatike ai iu drejtua fillimisht shtëpisë së Belimon dhe Daniela Meçollarit, me të cilën pretendonte se kishte një lidhje intime. Çifti i bashkëshortëve dhe dy fëmijët ishin në kuzhinë kur Bashkimi hyri në shtëpi, duke qëlluar fillimisht mbi Danielën dhe më pas mbi bashkëshortin e saj, në sy të dy fëmijëve 4 dhe 6 vjeç. Të afërm dhe familjarë nuk e fshehin tronditjen nga ky krim makabër.

Më pas autori iu drejtua shtëpisë së Rexhep Metollarit, dajës së bashkëshortit të Danielës, duke e vrarë atë dhe bashkëshorten e tij Valentina në gjumë.

Krimin e katërfishtë, Bashkim Litollari ia ka rrëfyer fillimisht kryeplakut të fshatit, të cilin e kishte ndeshur rastësisht në rrugë.

Policia thotë se ndaloi atë pas negociatave me kryeplakun. Në polici 40-vjeçari deklaroi se prej 5 vitesh kishte një lidhje intime me Daniela Meçollarin. Ai pretendon edhe për atësinë e njërit prej fëmijëve. Hetuesve u tha se refuzimi i Danielës për t’u divorcuar nga bashkëshorti dhe pengesat që ky i fundit dhe daja i tij i kishin krijuar e detyruan të ndërmerrte aktin ekstrem. Grupi hetimor e pati të vështirë ta marrë në pyetje, për shkak të gjendjes së rënduar të vrasësit, si pasojë e konsumimit të alkoolit.