Situata e krijuar për shkak të reshjeve të dëborës dhe uljes së temperaturave në disa prej qarqeve të vendit është përballuar si duhet nga strukturat e ngritura për këtë qëllim.

Nga informacionet e mbledhura në Drejtorinë e Emergjencave Civile në MPB, rezulton se pavarësisht dëborës së rënë, akset rrugore kanë qenë të hapura, nuk ka pasur probleme për furnizimin e rajoneve të thella malore me energji elektrike, si dhe nuk janë shënuar ngjarje me pasoja për popullatën dhe pasuritë e shtetasve.

Kjo gjendje e rënduar për shkak të reshjeve të borës ka prekur disa qarqe në veri të vendit, si Kukës, Shkodër, Dibër e Lezhë, ku trashësia e dëborës në qytete shkon deri në 10 – 20 cm, kurse në zonat e thella malore deri në 40 cm.

Ndërsa në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen situata emergjente të krijuara nga kushtet e motit.

Sipas informacioneve nga Emergjencat Civile, në qarqet e përmendura nuk ka pasur emergjenca shëndetësore apo problematika të tjera që lidhen me shëndetin e shtetasve.

Deri në orën 19:30 të sotëm, situata në qarqe paraqitën si më poshtë:

Qarku Kukës – Ka pasur reshje të dobëta shiu dhe reshje bore që në qytete ka arritur trashësinë 6-9 cm, kurse në zonat rurale trashësia e borës ka qenë 20-40 cm.

Të gjitha akset kombëtare kanë qenë përgjithësisht të qarkullueshëm pa zinxhirë si rezultat i punës së bërë nga firmat kontraktore.

Në shkallë qarku kanë punuar gjithsej 32 mjete borëpastruese.

Rruga e Kombit ka qenë e qarkullueshme kryesisht pa zinxhirë. Kanë punuar                       8 borëpastruese.

Akset rrugore Kukës-Bushtricë, Kukës-Zapod, Krumë-Qafë Prushi-Kam, Bajram Curri-Qafë Morinë, kanë qenë të qarkullueshme pa zinxhirë, kurse akset rrugore Bajram Curri-Valbonë, Bajram Curri-Qafë Luzhë, Fushë Dugagjin-Qafë, Shllak Kukës-Krumë, kanë qenë të qarkullueshme pjesërisht me zinxhirë.

Policia Rrugore ka monitoruar qarkullimin e automjeteve duke këshilluar drejtuesit e mjeteve të përdorin zinxhirë në segmentet problematike.

I gjithë qarku është furnizuar përgjithësisht normalisht me energji elektrike pasi grupet e punës së OSHEE kanë riparuar me shpejtësi defektet e shfaqura herë pas here.

Po kështu, i gjithë qarku është furnizuar normalisht me ujë të pijshëm.

Nuk ka pasur emergjenca shëndetësore në nivel qarku.

Nën drejtimin e Prefektit sot u mblodh Komisioni i Planifikimit dhe Përballimit të EC, ku u diskutua mbi situatën dhe u ndanë detyrat për përballimin e saj.

Qarku Shkodër – Ka pasur reshje të dobëta shiu dhe reshje bore. Në qytetin e Pukës reshjet e dëborës kanë arritur trashësinë rreth 20-25 cm.

Të gjitha akset kombëtare kanë qenë përgjithësisht të qarkullueshëm pa zinxhirë si rezultat i punës së bërë nga firmat kontraktore.

Akset rrugore: Pukë-Fushë Arrëz, Fushë Arrëz-Qafë Mali-Qafë Shllak, Qafë Mali-Dardhë- Fierzë, kanë qenë disi më problematik, pasi në segmente të caktuara automjetet kanë qarkulluar edhe më zinxhirë.

Akset rrugore: Fushë Arrëz-Iballë, Shkodër-Bregu i Lumit, Malësi e Madhe-Bogë-Theth, Tamarë-Vermosh, kanë qenë të kalueshme, por me zinxhirë.

Firmat kontraktore kanë punuar me mjete dhe forca për të mbajtur të kalueshme të gjitha akset rrugore.

Policia Rrugore vazhdon të monitorojë situatën.

I gjithë qarku është furnizuar normalisht me energji elektrike pasi grupet e punës së OSHEE kanë riparuar ato pak defekte që janë shfaqur.

I gjithë qarku është furnizuar normalisht me ujë të pijshëm.

Nuk ka pasur emergjenca shëndetësore në nivel qarku.

Prefekti dhe KPPEC kanë ndjekur në terren zbatimin e detyrave për përballimin e situatës.

Qarku Dibër – Ka pasur reshje të dobëta shiu dhe reshje bore që kanë arritur trashësi rreth 10-12 cm.

Të gjitha akset kombëtare kanë qenë përgjithësisht të qarkullueshëm pa zinxhirë si rezultat i punës së bërë nga firmat kontraktore me hedhjen e kripës në rrugë.

Akset rrugore që lidhin zonat urbane me zonat rurale janë kryesisht të kalueshme me zinxhirë.

Policia Rrugore vazhdon të monitorojë situatën.

I gjithë qarku është furnizuar normalisht me energji elektrike pasi grupet e punës së OSHEE kanë riparuar ato pak defekte që janë shfaqur.

I gjithë qarku është furnizuar normalisht me ujë të pijshëm.

Nuk ka pasur emergjenca shëndetësore në nivel qarku.

Prefekti dhe KPPEC kanë ndjekur në terren zbatimin e detyrave për përballimin e situatës.

Qarku Lezhë – Në bashkitë Lezhë dhe Kurbin ka pasur reshje shiu me intensitet të dobët.

Bashkia Mirditë, ka prezencë bore me trashësi rreth 15-35 cm.

Rrugët kombëtare në të gjithë qarkun kanë qenë të kalueshme pa zinxhirë.

Aksi rrugor i Rrugës së Kombit Rrëshen-Sang-Tunel i Kalimashit, ka qenë kryesisht i kalueshëm pa zinxhirë. Në hyrje të tunelit ka rreth 15 cm borë, por pa problem për qarkullimin normal të automjeteve.

Policia Rrugore vazhdon të monitorojë situatën në terren.

I gjithë qarku është furnizuar normalisht me energji elektrike pasi grupet e punës së OSHEE kanë qenë në gatishmëri dhe kanë riparuar defektet që janë shfaqur.

Hidrovorët kanë punuar me kapacitet të plotë.

I gjithë qarku është furnizuar normalisht me ujë të pijshëm.

Nuk ka pasur emergjenca shëndetësore në nivel qarku.

Prefekti dhe KPPEC kanë ndjekur në terren zbatimin e detyrave për përballimin e situatës.