Tiranës i është shtuar një tjetër çerdhe për edukimin e më të vegjëlve të qytetit. Bashkia e Tiranës përfundoi në një kohe të shkurtër rindërtimin e plotë të çerdhes nr. 13, duke siguruar jo vetëm kushte më të mira edukative për fëmijët, por edhe duke shtuar me gati tre herë kapacitetin e saj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë në përurimin e ambienteve të reja të çerdhes dhe shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij projekti. Ai theksoi se kjo është çerdhja e 36 që është rikonstruktuar apo që është rindërtuar nga e para.

“Është një dhuratë për fëmijët e vegjël, por edhe për nënat që i sjellin fëmijët në këtë hapësirë moderne, tashmë tre herë më e madhe se më parë. Godina sot ka dy kate dhe u shërben 100 fëmijëve. Jam shumë i lumtur që në gjithë Tiranën kemi bërë 36 çerdhe të reja”,

tha Veliaj.

Ai theksoi se ky është një tjetër investim për të ardhmen, i cili garanton një qytet më të mirë nesër

.

“Basti që kemi vënë për Tiranën fillon me çerdhet e kopshtet; nëse fëmijët rriten në çerdhe e kopshte të mira, nesër do të kemi qytetarë të dashur, të pastër, që respektojnë rregullat e qytetit. Unë dua që t’i uroj edukatoret dhe fëmijët ta gëzojnë çerdhen e re, me shpresën se këtu do rriten fëmijë të mirë dhe Shqipëria do jetë më e mirë”,

shtoi Veliaj.

Sa i përket Njësisë Administrative Nr. 8, Veliaj theksoi se është parashikuar që pas çerdheve dhe kopshteve të vijohet edhe me infrastrukturën e shkollave, ndërsa bëri të ditur se për pak ditë hapet edhe Pazari i Ri, i cili ashtu si çdo investim tjetër ka rritur ndjeshëm vlerën e pronës për banorët.

“Javën tjetër do të hapim Pazarin e Ri, një nga hapësirat urbane më me vlerë në Tiranë. Sipas të gjitha agjencive imobilare, rreth e rrotull Pazarit të Ri vlera e pronës është rritur deri në 40%-50%. Ndaj, besoj se po të vazhdojmë me këtë ritëm, edhe në lagje të tjera do të kemi rritje të vlerës së pronës”,

përfundoi Veliaj./tvklan.al