Një numër i madh i shqiptarëve dhjetë vite pas konfliktit të vitit 2001 mbeti jashtë kornizave të asaj që quhet Marrëveshja e Ohrit. Janë mbi dhjetë komuna dhe vendbanime, ku popullsia shqiptare ngeli pakicë dhe e izoluar nga çdo e drejtë elementare. Kjo popullatë që numëron mbi 50 mijë banorë nga gjithë ato komuna nuk gëzon asnjë të drejtë që i mundëson kushtetuta në bazë të përkufizimit kushtetues “bashkësia etnike mbi 20 për qind”.

Shqiptarët në Manastir, Resnjë, Krushevë, Dollnen, Veles, Ohër Prespë dhe komunat e tjera, sidomos nga ato në brendi të Shkup, nuk gëzojnë të drejtën e përdorimit të gjuhës, përdorimin e simboleve kombëtare, përfaqësimin në institucione, investimet dhe projektet zhvillimore social-ekonomike dhe benefite të tjera nga shteti, raportoi INA.

Diskriminimi i hapur ndodhë edhe sot e kësaj dite në komunën e Krushevës, ku shqiptarët përbëjnë mbi 22 për qind, mirëpo ku nuk kanë asnjë të drejtë elementare, nuk ka mbishkrime në gjuhën shqipe, nuk ka përdorim të gjuhës shqipe në administratën komunale si dhe nuk lejohet e drejta e përdorimit të gjuhës, edhe pse janë dy këshilltarë komunal nga radhët e shqiptarëve.

Edhe në komunën e Dollnenit shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë, mirëpo edhe atje po ndodhë diskriminimi i skajshëm institucional dhe shkelja e kushtetutës nga ana e pushtetit që udhëhiqet nga shumica maqedonase, për shkak të mosrespektimit të të drejtave elementare të shqiptarëve.

Dëmi më i madh në komunën e Dollnenit është shkaktuar për banorët e fshatit Zhitoshë, kryesisht me popullsi shqiptare, që tani janë nën kufijtë e komunës së Dollnenit, ndërsa dikur ishin nën Krushevë. Diskriminimi i tyre ndodhë edhe me nxjerrjen e dokumenteve personale dhe shërbimeve të tjera, për shkak se janë të detyruar të udhëtojnë në Prilep, edhe atë rreth 50 kilometra për t`u pajisur me dokumente, derisa në të kaluarën shërbimet i kryenin në Krushevë, që është në një largësi më pak se 15 kilometra.

Varfëria, bujqësia në nivelin e mbijetesës dhe vala e vazhdueshme e emigrimit është jeta reale që po bëhet në këto zona, ku edhe pak ato kuadro të shkolluara nuk gjejnë vend pune në qytetet e afërta. Edhe në Manastir nuk ndjehet asgjë nga Marrëveshja e Ohrit. Vefki Bajrami, agronom i diplomuar sqaron për INA, pozitën e palakmueshme të shqiptarëve.

“I bëj apel që të ndërhyjnë dhe të shohin se çfarë ndodhë në Manastir. Unë i shoh politikanët shqiptarë pavarësisht nga cila parti që janë të dobët për t`i zgjidhur punët edhe atje ku dominojnë, mirëpo kërkojmë që mos të na anashkalojnë. Këtu s`ka çka flitet për Marrëveshjen e Ohrit. Ka presione të ndryshme. Deri tani nuk është hapur edhe një paralele e shkollës së mesme edhe pse pati disa nisma. Nxënësit shqiptarë në shkollat fillore detyrohen që disa lëndë t`i mësojnë maqedonisht, pasi që nuk lejohet hapja e vendeve të punës për mësues shqiptarë”, thekson Vefki Bajrami.

Situata e njëjtë e heshtjes dhe humbjes së vazhdueshme të shqiptarëve po ndodhë edhe me 1600 shqiptarët e Resnjës, sa janë sipas statistikave, me 1483 shqiptarët e Mavrovës dhe Rostushes, me 1206 shqiptarët e Zelenikovës dhe rreth 3.000 shqiptarët e zonës së Veles. Realiteti i hidhur ku nuk preket dhe nuk ndjehen ligjet dhe fryma e Marrëveshjes së Ohrit është edhe në komunat e Shkupit, ku shqiptarët janë gjithashtu popullsi pakicë. Deri tani nuk ofrohet asnjë rrugëdalje apo hapja e debatit për fatin e gjithë atyre shqiptarëve që ndjehen jetimë në ato komuna dhe zona të këtij vendi shumetnik. (INA)