Edhe pse jemi në vitin 2017, kryeqyteti nuk të ofron ende një ndarje të zonave rezidenciale dhe për biznes. Pa asnjë lloj kriteri, apartamentet e banimit shërbejne si zyra apo biznese të ndryshëm, duke u kthyer kështu në një problem për banorët.

Përballë kësaj situate kaotike, kryebashkiaku Erion Veliaj në një intervistë për televizonin Klan, pohon se gjithçka ka ardhur si pasojë e mungesës se kontrollit.

“Ajo që ne kemi parë është që ne kemi një anomali, në mënyrën se është qeveria qëndrore ajo që jep licensat mjedisore të tipit C, pra që janë kategoria e shërbimeve në zona të banuara. Varësia në qeverinë qëndrore për paketën 27 vjet nuk ka funksionuar dhe ne nuk dimë të dallojmë cila është një zonë rezidenciale dhe cila është një zonë biznesi”.

Për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike shumë vjeçare, Veliaj thotë se do të kërkojë amendimin e ligjit të mjedisit.

“Ajo që ne kemi kërkuar dhe kemi gjetur dakortësinë me Kryeministrin dhe ministrin e Mjedisit është që kjo duhet të jetë një kompetencë që e jep Bashkia. Bashkia mund të kontrollojë nëse banorët e kanë dhënë dakortësinë që ambienti i tyre i banimit të jetë dhe zyrë, të jetë dhe restorant, të jetë dhe Call-Center, të jetë dhe disko. Kështu që shumë shpejt do t’i propozoj qeverisë shqiptare amendimin e ligjit të mjedisit ku licencat e kategorisë C, pra të aktiviteteve tregtare në zonat e banuara, t’i kalojnë pushtetit vendor”.

Me planin e ri urbanistik bashkiak janë përcaktuar edhe disa nga zonat që do të jenë të fokusuara tek biznesi që kërkon zyrë. Rreshtat e parë të ndërtimeve në bulevardin e ri do të jenë të përcaktuara për biznese dhe zyra, po ashtu edhe disa ndërtime të reja që nuk janë në lagje të banuara dhe janë me fokus hotele.

Tv Klan