Përveç sasive të mëdha të drogës, skafet e fuqishëm të organizatës shqiptaro-greke nuk transportonin vetëm lëndë narkotike. Sipas autoriteteve greke të cilat kanë dhënë informacione shtesë në lidhje me këtë mega-operacion, me këto skafe që trafikohej marijuanë janë transportuar edhe refugjatë. Këtë e tregojnë dokumentet e Rojeve Bregdetare të Greqisë.

Njëri prej motoskafëve të fuqishëm i quajtur “Ionion”, në verën e vitit 2011 kishte trafikuar refugjatë nga Greqia në Itali. Mjeti lundrues i përket biznesmenit 63-vjeçar nga Mikono, i cili tashmë është i arrestuar. Mediat greke raportojnë se ky biznesmen ka në pronësi rreth 6 motoskafë të fuqishëm, që përdoreshin për trafikun e drogës në itinerarin Shqipëri-Greqi-Itali-Turqi. Biznesmeni grek u mundësonte infrastrukturën trafikantëve, duke u vendosur në dispozicion këto skafe të fuqishme. Për mirëmbajtjen e tyre të vazhdueshme shpenzoheshin 50 mijë deri në 60 mijë Euro në mënyrë që të mos kishin të papritura gjatë rrugës.

Referuar burimeve nga hetuesit në Athinë, mediat greke raportojnë se drejtuesi i kësaj organizate të fuqishme është një 31-vjeçar italian me origjinë shqiptare, i quajtur Vito. Për të njëjtin person, disa ditë më parë këto media thanë edhe se zotëron vilë në bregdetin shqiptar, megjithëse nuk dihet vërtetësia e këtyre informacioneve. Deri tani janë arrestuar 11 anëtarë të rrjetit; 6 shqiptarë, 2 italianë, 2 grekë e 1 bullgar. Ata dolën dje para gjykatës në Athinë dhe u lanë në burg. “Kathimerini” njoftoi një ditë më parë se kjo organizatë droge i përket Habilajve. Por, burime konfidenciale të tvklan.al thonë se bëhet fjalë për një tjetër grup të fuqishëm kriminal që nuk ka lidhje me Habilajt.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se skafi me marijuanë do të shkonte drejt Turqisë për të shkarkuar ngarkesën dhe aty një pjesë të kanabisit do ta këmbente me heroinë për t’u kthyer më pas në Shqipëri duke përdorur vendin tonë si rrugë tranziti. Megjithëse kjo organizatë kishte bërë disa rrugë trafiku ndërkombëtar, kësaj radhe gjërat nuk shkuan sipas planit. Mesnatën e 24 dhe 25 Nëntorit, skafi me motorë të fuqishëm i ngarkuar me 1.6 ton kanabis u ndoq në det të hapur për disa orë resht nga roja bregdetare greke dhe FRONTEX, që rezultoi me kapjen e ngarkesës së drogës dhe arrestimin e trafikantëve. Sikurse tvklan.al raportoi disa ditë më parë, ky mjet ishte nisur nga Korfuzi pasi kishte mbetur i bllokuar para disa javësh për probleme teknike.

Në mesin e të arrestuarve është edhe djali i një polici grek, i cili u kap duke ruajtur një skaf në parking. E ëma e tij ka folur për televizionin “Ant1” në Athinë dhe ka mohuar përfshirjen e djalit të saj duke thënë se është i pafajshëm dhe nuk ka lidhje me trafikantët.

“Skafin e kishte në parking për tre muaj dhe vetëm e ruante. E thamë disa herë, djali nuk përfshihet në gjëra të tilla. Kushdo mund të përfshihet, por djali im është i pafajshëm”,

tha ajo. Gjatë këtyre ditëve pritet që para gjykatës greke, avokatët e të pandehurve të mbrojnë klientët e arrestuar dhe të japin informacione për veprimtaritë e tyre.

/tvklan.al