Një histori suksesi në tokën e premtuar në SHBA nga një familje shqiptare, themeluese të një prej ekipeve më të mira të volejbollit në Kalifoninë e Jugut.

Vetitë çudibërëse dhe rigjallëruese për lëkurën të kremit dhe serumit “Versaçe 19-69”.

Familja Marina

Jeta është dinamike, e vrullshme dhe të rrëmben në hapat e saj, ndonjëherë duke të të mundësuar të përjetosh suksese dhe arritje të cilat nuk i kishe menduar ndonjëherë, të shpie në vende të cilat nuk i kishe imagjinuar dhe të nxit të mendosh se gjithçka është e mundur.

Në këtë kontekst, ka gjithmonë shembuj që të frymëzojnë dhe të bëjnë të kuptosh se po ta dëshirosh diçka shumë, ta parashikosh dhe qetësisht të hedhësh hapat drejt përmbushjes së qëllimit, gjithçka bëhet krejtësisht e realizueshme.

Në Kaliforninë plot diell në Shtetet e Bashkuara të Amerikës jetojnë prej 18 vitesh çifti simpatik Ardian dhe Kristina Marina, së bashku me fëmijët e tyre Anxhelon 23 – vjeç, Sindin 18 – vjeç, e cila tashme studion në Karolinën e Veriut dhe Brandonin 13 – vjeç.

Familje që mund ta cilësojmë pa dyshim si një histori suksesi në lëmin e shqiptarëve nëpër botë. Si çdo familje emigrantësh në kërkim të një jetë më të mirë, fillimisht në Itali për 7 vjet, më pas në Chicago, e në fund në Kaliforni, ata kaluar përmes një traseje të vështirë, me shumë sfida dhe lodhje, por që në asnjë moment nuk kanë mundur këto vështirësi të lënë gjurmë në buzëqeshjet e tyre rrezëllitëse dhe në dëshirën për të shijuar jetën.

Siç janë plot pozitivitet dhe të mbushur me dashuri përkundrejt njëri-tjetrit dhe atyre që i rrethojnë, ashtu kanë qenë edhe përkundrejt fatit të tyre, të vendosur që ta krijojnë atë vetë, e të gëzojnë çdo etapë të jetës së tyre. Falë vizionit dhe vendosmërisë që i karakterizon, sot kanë arritur të krijojnë një familje të mrekullueshme dhe 2 biznese shumë të suksesshëm; e ndërkohë që e ushqejnë pasionin e tyre për sportin, ata po lenë edhe gjurmë në volejbollin kalifornian.

Ardiani si një sportdashës dhe Kristina si një ish volejbolliste profesioniste, kanë krijuar prej mëse 3 vitesh klubin e volejbollit

 Forza One

, më i miri në Kalifornine e jugut, me më shumë se 100 ekipe për vajza dhe djem.

Kristina, talentin dhe pasionin për volejbollin ia ka trashëguar edhe së bijës, 18 – vjeçares Sindi Marina, e cila është tashmë ndër lojtaret më të mira në NCAA, teksa luan me universitetin Duke në Karolinën e Veriut, e ndërkohë është bërë edhe pjesë e Kombëtares Shqiptare të Volejbollit.

Para se të shkonte të studionte në universitet, edhe Sindi është trajnuar tek klubi i prindërve të saj, 

Forca One,

 klub në të cilin Ardiani dhe Kristina kanë punësuar tranjerët më të kualifikuar dhe të njohur brenda dhe jashtë Amerikës.

Bëjmë një vizite tek ambientet e klubit në qytetin Temecula në Kaliforni, ku Ardiani na tregon më shumë rreth vizionit dhe suksesit të 

Forcës

.

Djali i madh i familjes, Anxhelo, i cili ka lindur në Itali, është diplomuar së fundmi në Universitetin e San Diegos për Biznes Ndërkombetar teksa ka luajtur futboll për universitetin, ndaj tani është pjesë e projekteve dhe sukseseve të familjes duke kontribuar në çdo aspekt brenda klubit të volejbollit, por edhe jashtë tij.

Edhe pse e di tashmë se sukseset e klubit të volejbollit janë të shumta, Ardiani e ruan modestinë e tij në të rrëfyer. Megjithatë, janë zërat e profesionistëve ata që tregojnë më shumë rreth suksesit të 

Forca One

, bazat e forta mbi të cilat klubi është ngritur që në hapat e parë dhe rrugën drejt sukseseve të mëdha. Njëri nga trajnerët më të mirë të këtij klubi i cili është shpërngulur nga Italia, ështëOrlando Koja, djali i trajnerit shumë të suksesshëm të volejbollistit shqiptar Vangjel Koja dhe njëkohësisht vëllai i stilistes së njohur Ema Savahl.

Pjesë e trajnerëve të kualifikuar e me emër në klubin

 Forca One

 është dhe njëra prej ish-volejbollisteve të Kombëtares së Volejbollit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lojrat Olimpike. Ajo na tregon me entuziazëm për marrëdhënien e saj me klubin, çiftin Marina dhe vajzën e tyre, Sindin të cilën e ka trajnuar vetë.

Të mos mposhtesh përballë sfidave të jetës, por t’u bësh ballë atyre me vëtëbesim, ka qenë një nga filozofitë që ka ndjekur rrugëtimin jetësor të Kristinës dhe Ardianit. Sakrificat janë përkthyer në guxim dhe arritje për ta. Hera herës duke bërë kompromise me rrethanat, por në asnjë çast, duke hequr dorë nga ëndrrat e tyre të mëdha.

Në fillimet e tyre janë detyruar të kryejnë punë të cilat, sa ishin në Shqipëri, të rritur me kushte të mira, as nuk i kishin menduar. Kështu, në vitet e para të emigrimit në Itali Ardiani punoi në ndërtim, ndërkohë kur erdhën në Amerikë, nisi punën si kamionist ku i duhej shpesh të udhëtonte me ditë larg Kristinës dhe fëmijëve të vegjël, për të përmbushur kërkesat e familjes.

Me shumë punë dhe përkushtim, Ardiani e përdori këtë eksperiencë pune për të hapur biznesin e tij në fushën e transportit. Një rrugetim i gjatë dhe i vështirë, por që Marinat e kthyen në sukses. Ardiani dhe Kristina na mirëpresin në shtëpinë e tyre shumë të bukur në Temecula dhe na tregojnë më shumë.

Në Amerikën e largët, ku ka shumë punë dhe pak kohë të lirë, çifti Marina janë kthyer në një model suksesi dhe frymëzimi jo vetëm në sajë të bizneseve që ata kanë ngritur, por edhe për mënyrën se si ata kanë ushqyer fëmijët e tyre me dashurinë për Shqipërinë, kulturën dhe Gjuhën Shqipe.

Përpos mikëpritjes së ngrohtë dhe dashamirësisë shqiptare që gjen në familjen Marina, të bën përshtypje shija dhe imagjinata e dekorit të shtëpisë ku ata banojnë. Një shtëpi e bukur dhe e ngrohtë, e kuruar deri në detajet më të imta nga e zonja e shtëpisë, një shtepi plot ngjyra ku jo rastësisht dominon e kuqja dhe e zeza, ku gjithçka në mobilim ka kuptim dhe identitet. Kristina na zbulon me entuziasëm hap pas hapi, disa nga ambientet kryesore ku ata banojnë.

Suksesi i familjes Marina nuk do të kishte vlerë nëse dhe fëmijët e tyre nuk do të ishin në brendësi të tij. Prandaj Anxhelo, më i madhi i fëmijëve të Ardianit dhe Kristinës është diplomuar për biznes ndërkombëtar dhe financë, është kthyer nga universiteti që të japë kontributin e tij në bizneset e familjes.

Ardiani dhe Kristina ashtu të qeshur e plot jetë siç kanë përjetuar këto vite përkrah njëri-tjerit dhe familjes së tyre, po kaq të mirë janë edhe për miqtë që i vizitojnë nga brenda ose jashtë Amerikës. Kristina si një shkodrane e vërtetë, di ta shijojë jetën dhe këtë pozitivitet e shpërndan me këdo. Ajo përpiqet të kënaqë familjen e saj dhe këdo që i rrethon. Cifti Marina zgjedh të na tregojë më shumë qytetin e tyre, Temeculan plot gjelbërim dhe diell, teksa na ftojnë ne një nga vendet ku shpesh kalojnë fundjavat e tyre kaliforniane.

Rreth 45 minuta larg shtëpisë së tyre me makinë ndodhet qyteti magjepsës i San Diegos, aty ku Anxhelo është shkolluar dhe ku familja Marina e veçanërisht Kristina shijon natyrën, panoramën e mrekullueshme, por mbi të gjitha bukurinë e detit. Ky është një vend ku familja Marina mblidhet shpesh për darka me shqiptarët e tjerë në Kaliforni, miq të vyer të cilët kanë qenë pjesë e rrugëtimit të tyre për të festuar si në këtë rast sot. Ata jetojnë si amerikanë pa harruar në asnjë moment vendin e tyre të zemrës, Shqipërinë.

Teksa ulemi në natyrë me godinat e San Diegos në sfond, rrethuar nga bukuria e muzgut dhe shija e ëmbël e suksesit, Kristina reflekton mbi gjithçka që familja e saj ka arritur të ndërtojë. Ajo flet për emigrimin në Itali në vitin ’91 dhe vështirësitë që nuk e zbehën asnjëherë dëshirën e saj për të arritur më të mirën.

Thuhet se pas çdo burri të suksesshëm qëndron një grua e fortë. Këmbëngulja dhe vendosmëria e Kristinës deri në ekstremet e mundshme përkthehet sot në arritje dhe vetë përmbushje të të gjithë familjes së saj. Merita që edhe bashkëshorti i saj nuk heziton t’ia njohë.

Kështu Ardiani dhe Kristina na dëshmojnë se ëndrrat, dëshirat dhe pasionet nuk njohin hapësira gjeopolitike, nuk njohin mentalitete të vendeve të ndryshme, por flasin me një gjuhë universale, e që për të arritur në finishin e suksesit, duhen ushqyer me virtyte, këmbëngulje dhe përkushtim. Me guximin, vlerat dhe historinë e tyre ata janë kthyer tashmë në model për çdo shqiptar në botë me ëndrra të mëdha, në kërkim të një jete më të mirë.