Ora, një nga shpikjet më të vjetra të njerëzimit, për shkak të nevojës së vazhdueshme për matjen e kohës. Evolucioni i teknologjisë, por mbi të gjitha i kreativitetit vazhdon edhe sot të njohë dimensione të reja të punimit dhe ndërtimit të saj.

Nuk është aspak e lehtë të depërtosh sot në lëmin e markave prestigjoze të orëve, aq më tepër atyre zvicerane, pjesa më e madhe e të cilave, kanë krijuar një traditë shekullore të prodhimit të orëve mekanike. E megjithatë, duke ushqyer ëndrrat, duke iu dhënë zë atyre përmes guximit, talentit dhe punës së palodhur, ambicia gjen prehje teksa shijon majat e suksesit.

Kjo ka ndodhur me Rexhep Rexhepin, djalin 29 – vjeçar nga Kosova që ka arritur të themelojë ‘Akrivian’, markën e tij origjinale të orëve të sofistikuara, pikërisht në kryeqytetin e prodhimit të orëve, në Gjenevë. Fare i ri në moshë, por një mjeshtër dhe gjeni përpara objektivit të ndërtimit të orëve.

1

Ishte vetëm 14 – vjeç kur nisi të punonte për firmën prestigjoze Patek Philippe, ndërkohë që për një vit arriti ta ndërtojë orën e tij të parë nga zeroja, orë që mbart emrin Rexhep Rexhepi, e që sot ka vlerë të jashtëzakonshme historike.

Ishte në ato vite të adoleshencës, kur Rexhepi ndjeu një dëshirë të brendshme për të krijuar një orë dhe një markë që e përfaqëson filozofinë e tij, edhe pse pasioni për matësin e kohës nisi shumë më herët, kur tentonte të hapte orët e babait që vinte ta vizitonte në Kosovë nga Zvicra. Ishte ky pasion dhe dëshirë e zjarrtë, e cila e shtyu djaloshin këmbëngulës që të krijonte ‘Akrivian’, që në greqishten e vjetër do të thotë

precizion

.

E themeluar në vitin 2012, ‘Akrivia’ tashmë mbart në vetvete filozofinë e një marke që është e dashuruar pas formave të pastra mekanike duke ruajtur traditën, e në të njëjtën kohë duke i dhënë jetë një dizajni unik me një estetikë krejtësisht bashkëkohore.

2

‘Akrivia’ nuk është një orë e zakonshme, është një orë e sofistikuar turbijon, me çmime që nisin nga 120 mijë euro e sipër, një orë për koleksionistë dhe njerëz të pasionuar pas këtij objekti, njerëz që duan të jenë të veçantë dhe që e vlerësojnë maksimalisht kohën dhe përkushtimin maksimal të mjeshtrit Rexhep Rexhepi.

Ai që mban në dorë Akrivian, mban në dorë një pjesë të jetës së këtij gjeniu, më saktë, 3 muaj të jetës së tij. Me të, udhëton në kohë dhe në hapësirë. Është unike sepse ruan vlerat tradicionale të krijimit të orës dhe në të njëtën kohë krijon urat që të lidhin me të shkuarën dhe të tashmen nëpërmjet kombinimeve dhe teknikave precize që zotëron.

Ne bëjmë një udhëtim në Gjeneve të Zvicrës, për t’u njohur me mjeshtrin Rexhep Rexhepi. Cili ka qenë rrugëtimi i tij i veçantë, nga ikja si refugjat i luftës në Kosovë, e deri në të qenit konkurent dinjitoz i firmave më të njohura të orëve në botë.

11

I apasionuar, por edhe këmbëngulës në arritjen e qëllimit të tij, Rexhepi ka arritur të vendoset në një nga zonat më të mira të Gjenevës, në Avenue Krieg. Atelieja e tij është rreth 500 metra katrorë, me ambientin kryesor të punës ku ai krijon me orë të tëra dhe punon sëbashku me të vëllain, Xhevdetin, gjithashtu një mjeshtër në këtë profesion. Ne showroomin e Akrivias ka objekte historike që kanë të bëjnë me mekanizmin e orëve dhe gjithashtu ka hapësira ku priten klientët dhe ekspozohen orët.

Rexhepi na tregon më shumë se si ka arritur deri këtu. Krejtësisht i zhveshur prej elementëve të famës dhe suksesit që ai gëzon sot nëpërmjet produktit të ndërtuar prej tij, Rexhepi nuk ngurron të na rrëfejë për trasenë që e çoi atë drejt realizimit të një ëndrre kaq të madhe, të pagëzuar Akrivia.

7

Mjeshtri Rexhepi i ka dedikuar më shumë se gjysmën e jetës së tij pasionit për orët. Edhe pse në moshën 14-vjeçare ai nisi profesionin e tij në firmën prestigjioze Patek Philippe, ku ra në sy menjëherë për shkak të talentit, puna për Rexhepin nuk ndalte aty. Një tjetër etapë e priste atë pas punës së detyrueshme, ishte dashuria e tij që e ushqente çdo ditë me vullnet dhe pasion, ishte Akrivia.

Ndërhyrja sistematike e dorës së njeriut në çdo fazë të krijimit është treguesi më i mirë që ora Akrivia është me të vërtetë e veçantë. Gjithçka është e bërë me dorë dhe të gjitha skicat dhe dizenjimet janë të mjeshtrit Rexhepi. Vëmendje, precision dhe veçanti në dekorimin e komponenteve. Këto janë mjaft të rëndësishme në krijimin e kësaj ore.

6

Një tjetër zë që flet me pasion për Akrivian dhe krijuesin e saj Rexhep Rexhepi, është drejtoresha e marketingut dhe shitjeve ndërkombëtare te Akrivias Naomi Barokas. Ajo flet me entuziazëm dhe për zanafillën e njohjes së saj me djaloshin nga Kosova, madje nuk nguron të na rrëfejë dhe disa detaje ekskluzive për të, meqenëse ai është modest si natyrë dhe nuk i pëlqen të flasë shumë për veten.

Naomi na tregon edhe disa objekte që ai i ruan me fanatizëm, siç është edhe ora më e veçantë në sallonin e Akrivias. Një orë unike që mbart një vlerë të paçmuar edhe pse shumë koleksionistë e duan ta zotërojnë, por që Rexhepi nuk e shet kurrë. Ajo është pikërisht puna e tij e parë, ora që Rexhepi e ndërtoi nga e para kur punonte për Patek Philipe në moshën 15 – vjeçare, së cilës marka historike i vendosi në fushë emrin Rexhep Rexhepi.

9

Në vetëm 4 vjet ekzistencë, Akrivia flet në shumë gjuhë. Për shkak të veçantisë dhe mekanizmit perfekt, ajo flet në Lindje dhe në Perëndim. Një krijim dinjitoz me origjinë shqiptare që tashmë qëndron krenare mes markave më prestigjoze në botë. Akrivia prezantohet në sallonet më në zë ndërkombëtarë të orëve duke u ngjallur dëshirën për ta zotëruar, fanatikëve më të mëdhenj të orëve.

Është suprizuese në fakt të shohësh moshën e ekipit që punon për Akrivian, të rinj të motivuar dhe plot jetë që përkushtohen në çdo detaj për ndërtimin e kësaj ore të sofistikuar. Një ekip i specializuar prej 5 të rinjsh që bëjnë mrekulli.

5

Mjeshtri Rexhep Rexhepi nuk është vetëm frymëzim për të gjithë të apasionuarit pas orëve. Ajo që e prek më shumë, është se vëllai i vogël ka zgjedhur t’i bashkohet në rrugetimin e tij. Xhevdeti simpatik 26 – vjeçar, prej vitesh motivohet dhe ndan pasionin e të vëllait, e tashmë, të dy ecin krah për krah me Akrivian. Një mbështetje e madhe për njëri-tjetrin dhe një produkt perfekt që djemtë nga Kosova sjellin në botën e orëve.

Pavarësisht sukseseve të jashtëzakonshme të arritura me Akrivian në botë, Rexhepi nuk harron për asnjë moment origjinën prej nga vjen, madje e kujton atë me nostalgji. Në fjalët e tij deshifron mallin për vitet e fëmijërisë edhe pse Kosova lëngonte në prag të luftës. Një djalosh që ishte ende i vogël për ta kuptuar se jeta dhe fati do ta vendosnin në një tjetër realitet.

4

Rexhepi pati guximin të themelonte Akrivian, në Gjenevën plot konkurencë, krijoi me pasion orët e tij turbijon duke u fokusuar vetëm tek vetja dhe nuk konsideroi në asnjë moment vështirësitë. Akrivia për të është qëllimi dhe motivi që e mban të karikuar çdo ditë dhe natë.

Kjo është një histori suksesi që ngrihet mbi paragjykimet, që thyen tabutë dhe që shkon përtej shprehjes “Guri i rëndë në vend të vet”. Guximi, pasioni dhe përkushtimi janë universalë dhe triumfojnë mbi gjithçka. Rexhep Rexhepi është shembulli më i mirë për këtë./tvklan.al