A ju kujtohet përralla e famshme e “Borëbardhës me 7 Xhuxhat”? Secili prej nesh kthehet në vitet e fëmijërisë kur përmendet ajo, kujtojmë me aq nostalgji burrat shtatshkurtër që ishin personazhet gazmorë e të dashur që nuk mjaftoheshim duke i parë. Por a ndodh kështu kur ndeshemi me një person shtatshkurtër në rrugë, që vuan nga sindroma e nanizmit?

Kjo mbetet ende një sfidë për shoqërinë tonë, paragjykimet, habia, kureshtja apo përbuzja janë pasqyra e asaj çfarë shohin njerëzit që vuajnë nga kjo sindromë e cila ndalon rritjen fizike. Megjithatë ka dhe raste persona të tillë nuk ligështohen nga paragjykimet, por vendosin t’u bëjnë ballë atyre duke i sfiduar. Disa prej tyre janë kthyer sot në personazhe të dashur për publikun duke u bërë pjesë e kasteve të aktorëve në filma të ndryshëm.

Alkida është një vajzë plot energji dhe harmoni, duket se gjithçka që e rrethon i jep jetë dhe e motivon. Tek e sheh këtë vajzë që nuk resht për asnjë moment së treguari natyrën e saj çapkëne, kupton burkurinë e jetës në një tjetër dimension.

flori

Është vetëm 26 – vjeçe dhe sindroma e nanizmit nuk e ka penguar aspak atë për t’iu përkushtuar jetës në çdo drejtim, në studimet dhe pasionet që ajo ka patur që në vegjëli. Ndryshimin që ka nga bashkëmoshatarët e saj Alkida e ka kthyer në forcë dhe me kalimin e viteve e ka asgjësuar brenda vetes duke mos e konsideruar diferencën në dukje. Të dëgjosh Alkidën tek dëgjon të flasë për fatin dhe familjen e saj, është një emocion krejtësisht i veçantë, ajo rrëfen lidhjen e veçantë që ka me dy prindërit e saj të cilët i sheh si forcën e saj më të madhe. Rrëfimi i saj është i mbushur plot e përlot me nota pozitiviteti dhe mirësie.

Por ja si na e tregon zonja Bukurie, e ëma e Alkidës, historinë e vajzës së saj, e cila vuan nga sindroma e nanizmit. Ajo është një grua vitale dhe fisnike, e cila në çdo fjalë të saj rrëfen jo vetëm ecurinë e shëndetit të Alkidës që nga lindja, por hera herës thyhet duke treguar dhe brengën e saj për të. Rrudhat në fytyrën e saj flasin më shumë sesa fjalët, e megjithatë ajo është një referencë e rëndësishme për Alkidën dhe për këdo që dëgjon historinë e saj.

flo2

Fati kështu e ka shkruar për Alkidën, por ajo nuk është e zemëruar me të, ajo ka bërë paqe me të dhe ndihet komode kështu, jep e merr dashuri pa kursim dhe është në sinkron me veten dhe me gjithçka që e rrethon. Si çdo vajzë edhe Alkida përkujdeset maksimalisht për veten, është një vajzë që kurohet deri në detaj për veshjen dhe look-un e saj. Nëse çdo vajzë përpiqet të gjej truke për t’u dukur bukur dhe më e gjatë nëpërmjet takave, kjo nuk ndodh me Alkidën ajo e ka hedhur pas krahëve këtë kompleks dhe preferon të jetë vetvetja, ashtu si çapkëne e thjeshtë me një palë atlete.

Sindroma që ajo ka nuk e privon as për t’u përkujdesur për trupin e saj për të ushtruar sportet e mundshme që ja bëjnë jetën më të shëndetshme. Një shëtitje në natyrë është shplodhje fizike dhe ushqim për shpirtin e Alkidës. Ndërkohë që nuk nguron të thotë më zë të lartë dhe ato sporte të cilat janë të pamundura për të.

flo5

Alkida është një vajzë çapkëne, e cila dhe kur përgjigjet përpiqet ta fshehë vështirësinë apo sfidat që takon gjatë rrugëtimit të saj. Por e kundërta ndodh kur dëgjojmë mamanë e saj, e cila si çdo nënë i dedikohet fëmijëve të saj, por Alkidës veçanërisht.

Gjatësia nuk e ka kufizuar aspak Alkidën që të jetë në qendër të vëmendjes, madje të thyej tabutë duke sfiluar në një pasarelë modelesh. Ajo ishte prezente në një sfilatë që iu dedikua pranimit të diversitetit në çdo mënyrë, formë apo ngjyrë. Gjithçka e konceptuar nga stilistja Bora Kokëdhima.

flo4

Pasioni i saj për pikturën dhe studimet në Liceun Artistik pikërisht në këtë degë i kanë hapur rrugë Alkidës për të ndjekur një tjetër pasion në Universitet, të studiojë për dizajn. Bota e saj e brendshme është e mbushur me plot ngjyra, detaje dhe estetike, si e tillë ajo ka ditur të drejtojë pasionet dhe dëshirat e saj në rrugën e duhur, në mënyrë që dhe profesioni i saj në një të nesërme të lidhet pikërisht me këtë.

Gjithë energjinë dhe pozitivitetin që përcjellë Alkida, sigurisht që kanë një epiqendër ku ushqehen, janë dy prindërit e saj ata që e motivojnë dhe i japin një shtysë të rëndësishme për të ecur përpara, duke mos i konsideruar paragjykimet. Me emocion dhe lot në sy zonja Bukurie rrëfen më shumë rreth vajzës së saj që e himnizon aq shumë.

Përpos mardhënies speciale që Alkida ka me dy prindërit e saj, ajo ka një mardhënie të veçantë dhe me motrën dhe dy vëllezërit. Madje teksa flet me të ajo tregon me krenari se pjestarët e familjes së saj janë të gjithë mbi 1 e 80 cm si për të mposhtur paragjykimet që ka hasur gjatë rrugës së jetës për shkak të sindromës që ka. Ndërkohë që Arli ndihet me fat që është motra e Alkidës.

flo6

Alkida tashmë kupton më së miri fatin e saj, ndërsa rrëfen faktin se asnjëherë nuk i është dashur të përballet me ndonjë diskutim në familje që flet për sindromën e saj. Më çiltërsinë e saj ajo shprehet që edhe sikur kjo të diskutohet asgjë nuk ndryshon, kshuqë ka bërë kompromis me fatin dhe shprehet se nuk e ndjen ndryshimin pasi ajo është më e llastuara në familje. Ndërkohë që me sinqeritetin e saj ajo na rrëfen edhe një pjesë speciale të jetës së saj dhe ëndrrat për të krijuar një familje në të ardhmen.

flo3

Duke parë dhe dëgjuar historinë e Alkidës, ndjen që jeta është plot ngjyra, ajo të frymëzon po aq sa edhe e ëma e saj Bukuria. Kanë zgjedhur të mos dorëzohen përballë paragjykimeve të shoqërisë dhe vështirësive të jetës. Në didaktikën e fjalëve të Alkidës deshifrohet një e ardhme e bukur, e mbushur me arritje dhe suksese. Ky është një model frymëzimi, se si ta dashurosh jetën në çdo dimension të saj dhe si të jemi mbështetës për ata që kanë nevojë për ne. /tvklan.al