Veprimtarin gjerman të të drejtave të njeriut, Peter Steudtner, e arrestuan në Turqi. Zemërimi për këtë është po kaq i madh, sa pa dobi. Në Bosfor tani për tani nuk do të ndryshojë gjë, mendon Daniel Heinrich.

Pak pasi u bë i ditur arrestimi në Turqi i veprimtarit gjerman të të drejtave të njeriut, Peter Steudner, të cilin e arrestuan pasi mbajti një referat për menaxhimin e Teknologjisë Informative në Stamboll, lajmet mbushën ekranet: që babai i familjes është i pafajshëm, që akuzat kundër tij janë pa bazë dhe që “shtypja” e aktiviteteve për të drejtat e njeriut në Turqi ka arritur një përmasë të papërfytyruar.

Qeveria turke në luftë mbrojtëse

Lajmet tingëllojnë prekëse, rrjetet sociale janë të mbushura plot me deklarata solidariteti. Trishtuesja, në të gjithë këtë: të gjitha këto nuk i interesojnë fare autoriteteve turke. Peter Steudner, që foli në Workshop-in e organizuar nga Amnesty International dhe veprimtarët e tjerë të të drejtave të njeriut tani janë bërë pjesë e një krijimi gjigand mitik:

Qeveria turke me Presidentin Rexhep Tayyip Erdogan në krye, e sheh veten, më e vonta që prej puçit të shtypur vitin e kaluar, në një luftë të përhershme kundër “armiqve” të brendshëm dhe të jashtëm. Në këtë situatë konfuze dhe të ndërlikuar shoqërore, me gjurmë paranoje, mosbesimi dhe frike bëjnë pjesë edhe “armiq” të jashtëm si organizata Amnesty International.

Nga këndvështrimi i autoriteteve turke në këtë mes është fare e parëndësishëm fakti se organizata të tilla gëzojnë në Perëndim një emër të panjollosur. Madje imazhi i tyre pozitiv edhe mund të përforcojë mosbesimin e autoriteteve turke.

Lidhje me mitin e themelimit të Turqisë

Skenari i kërcënimit prej “armiqve” të jashtëm zë vend te një pjesë e madhe e opinionit publik turk, ai të kujton me forcë mitin e themelimit të Turqisë së sotme.

Atëherë, në trazirat pas Luftës së Parë Botërore, Kemal Ataturku i dëboi në “luftën për pavarësi” fuqitë perandorake të huaja nga vendi dhe krijoi Republikën Turke. Deri sot, kjo luftë mbrojtëse kundër “armiqve” të jashtëm është pjesë e kuptimit turk të historisë.

Qeveria turke e sotme është e fokusuar te ky fenomen mbarëshoqëror:  frika nga infiltrimi prej fuqive të huaja duket kaq ekstreme, sa ajo, në kombinim me theksimin konstant publik të një skenari kërcënimi nga brenda, i shpall të justifikuara të gjitha mekanizmat e mbrojtjes. Viktimat e kësaj manie përndjekjeje mund të duken shumë të pafajshme, si një docent me syze në një kurs menaxhimi të Teknologjisë Informative në një organizatë të të drejtave të njeriut. Kjo nuk luan asnjë rol. Rreth gjysma e turqve do të vazhdojë edhe më tej ta mbështesë Presidentin e zgjedhur, qeverinë e zgjedhur prej tyre.

Nuk ka gjasa që kjo mbështetje të ndryshojë. Shumë të mëdha janë veçanërisht përfitimet ekonomike, që u ka krijuar qeveria e AKP-së shumë njerëzve të varfër.

BE dhe qeveria gjermane nuk ndryshojnë asgjë

Në dallim të madh nga betejat e shkuara verbale publike të së kaluarës, si Brukseli, ashtu edhe Berlini janë të interesuara për një thellim të marrëdhënieve me Turqinë. Krahas marrëveshjes funksionuese për refugjatët, në qendër janë para së gjithash interesa ekonomike.

Në fund të vitit të kaluar, KE bëri në mënyrë të papritur propozimin se dëshiron ta thellojë bashkimin doganor me Turqinë. Në qershor, edhe ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel theksoi interesin gjerman për një zgjerim të bashkimit doganor të BE me Turqinë.

Mungesë veprimesh nga jashtë, luftë mbrojtëse mitike brenda: Peter Steudner dhe kolegët e tij nuk do të jenë viktimat e fundit të manisë së pafrenuar të arrestimeve në Turqi. /Daniel Heinrich – DW