Kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, ka paralajmëruar Turqinë se çdo kthim i dënimit me vdekje do të jetë kalimi i “vijës se kuqe” nga ana e Ankarasë dhe do të çojë në mbylljen përfundimtare të bisedimeve për anëtarësimin në BE.

Në një intervistë për gjermanen “Bild”, ku foli për të ardhmen e Europës, zgjedhjet e këtij viti në kontinent, shefi i Komisionit Europian e quajti sjelljen e Erdoganit ndaj Holandës dhe Gjermanisë si të papranueshme.

Një ditë më parë  presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi se pret nga parlamenti të miratoje rivendosjen e dënimit me vdekje pas referendumit tepër të diskutueshëm të muajit të ardhshëm ku pritet të miratohen ndryshimet kushtetuese që do i japin pushtet të pakufizuar Erdoganit.

Turqia e hoqi dënimin me vdekje në vitin 2004 si kriter për përafrimin e saj me familjen europiane.

Por, Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel në një intervistë me Der Spiegel shkoi më tej, duke thënë se anëtarësimi i Turqisë në union është ende larg.

/Tv  Klan