Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.

Urime Edi Rama. Ju keni marrë një mandat të qartë për të vazhduar reformat e nisura tashmë. Keni mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Europian

”, shkroi Juncker në një postim në Twitter, bashkangjitur së cilit ishte edhe letra e urimit dërguar Kryeministrit shqiptar.

Në mesazhin e urimit, Presidenti i Komisionit Europian nuk nënvlerëson t’i kujtojë Ramës se rruga për në BE e vendit tonë do të kërkojë edhe “dialog dhe bashkëpunim ndër-partiak” me opozitën.

Shqipëria është një partner shumë i rëndësishëm për BE-në dhe Komisioni Europian mezi pret të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë për përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësimin e ardhshëm në BE.

Juncker tha se “

duhen përpjekje konkrete për të çuar para implementimin e Reformës në Drejtësi dhe veçanërisht Vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve sidhe luftimin e vendosur të krimit të organizuar, përfshirë kultivimin e trafikimit të drogës

”.

Partia Socialiste e Kryeministrit Edi Rama fitoi 74 mandate në Parlamentin me 140 deputetë, duke fituar të drejtën për ta qeverisur vendin i vetëm gjatë katër viteve të ardhshme./tvklan.al