Juventus fitoi 3 – 1 me përmbysje gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë me Napoli e zhvilluar në Torino. Një sfidë ku pjesa e parë ishte më shumë për miqtë, ndërsa pas pushimit për vendasit. Elseid Hysaj nuk ishte as në stol, pasi mungonte për shkak kartonësh. Callejon realizoi për napolitanët në minutën e 36’. Spanjolli finalizoi një aksion me kombinime të shpejta të lojtarëve napolitanë.

Kthesa për Juventus ishte që në minutat e para të pjesës së dytë. Dybala fitoi dhe e shndërroi në gol një 11-metërsh. Përpjekjet  futbollistëve vendas sollën avantazhin në minutën e 64’ ku Higuain shfrytëzoi daljen e gabuar të Reina. Suksesi u vulos me golin tjetër të Dybala po me 11-metërsh, pak minuta më vonë. Ndeshja e kthimit do të luhet më 5 prill, ndërsa mbrëmjen e së mërkurës do të zhvillohet takimi i parë gjysmëfinal Lazio – Roma.

Tv Klan