Rubrika “Ka një mesazh për ty”, solli këtë javë një mësuese muzike nga qyteti i Gramshit. Ndonëse zakonisht janë nxënësit ata që vijnë në studio për t’i kërkuar falje mësuesve, sot Violeta Mirakaj, mësuese e shkollës 9 – vjeçare “Këshilltarët e Galigatit” në Galigat të Gramshit, vjen për t’i kërkuar nxënësve të saj të ruajnë traditën e zonës së tyre.

Në shkollë ajo u mëson nxënësve këngën popullore me iso. Por këta të fundit, nuk e pëlqejnë këtë zhanër të muzikës dhe janë të prirur të dëgjojnë muzikën moderne. E ndodhur në këtë situatë, ajo zgjodhi t’i ftonte në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, në “E Diela Shqiptare”, në mënyrë që ato të bëhen më të përgjegjshëm për ruajtjen e traditës.

“Nxënësve nuk i pëlqen të këndojnë këngë popullore me iso. Unë u vura në një pozicion të vështirë. Më pas mendova se çfarë të bëja dhe fillova t’i vendos edhe kërcimin, vallen dyshe të grave të Gramshit.”

1

Nxënëset e pranishme në studio nuk u shkonte ndërmend që mund të ishte mësuese Violeta prapa murit. Kjo pasi, në ekran ato shikojnë shtatë djem të bukur. Ardit Gjebrea i thotë se këta djem duan të jenë pjesë e grupit të tyre të kërcimit, pasi i kanë parë në një videoklip. Vajzat i pranojnë djemtë të jenë pjesë e grupit të tyre dhe këta të fundit i ftojnë vajzat për një vallëzim.

4

Surpriza nuk mbyllet me kaq, pasi mësuese Violeta i shfaqet vajzave gjatë kohës që ato po vallëzonin.

“Çfarë po bëhet këtu? Stop muzika! Po këta ju kishin ftuar ju tek “E Diela Shqiptare” apo unë?”

Nuk e dinim! – shprehen vajzat.

Mësuesja më pas i thotë vajzave që ka një mesazh për to:

“Ashtu siç mësuat të kërceni vallen dyshe të Gramshit, mësuesja do që ju të mësoni të këndoni këngën popullore tradicionale, me qëllim që kënga popullore të mos na humbasë. “

2

Ato ia premtojnë mësueses që do të mësojnë të këndojnë këtë vlerë të kësaj treve. Në fund të gjitha sëbashku kënduan këngën popullore tradicionale me iso./tvklan.al