Bashkëshorti i saj është larguar vite më parë pa lënë gjurmë. Ndërkohë me të birin është detyruar të bëjë atë që një nënë nuk do të kishte dashur kurrë ta bënte. Por, Kimetja mendon se dikush tjetër ka vuajtur më shumë se ajo ndaj ka vendosur ta thërrasë në rubrikën “Ka një mesazh për ty”.

Quhem Kimete Avxhi, jam 52 vjeçe. Vajzë nga Shkodra dhe e martuar në fshatin Rëmbec të Korçës. Mua më ka ndjekur një mallkim i babit tim që edhe sot e vuaj. Ai nuk dëshironte që të isha vajzë, sipas traditave të veriut, pasi kisha dy motra më të mëdhaja se vetja

.

Si të mallkoi babai?

Kur linda unë siç më ka thënë mamaja, babai kishte thënë që mbyte se nuk e dua. Ai nuk më ka marrë në krahë, më ka lënë në dorë të një komshie për një muaj rresht.

E ke falur babain tënd për këtë veprim?

Deri kur ka dhënë shpirt nuk e kam falur, por 10 minuta para se të jepte shpirt unë e kam falur për çdo gabim të tijin.

Çfarë i the?

Hallall çdo gjë që ke bërë për mua.

U martove?

U dashurova me një person që nuk dua t’ia them emrin nga qyteti i Shkodrës.

Më tej Kimetja tregon që u fejua me djalin nga Shkodra dhe qëndruan të tillë për një vit, më pas çdo gjë u prish, pasi familja e djalit nuk kishte hapësirë në shtëpi për t’u bërë pjesëtare e familjes edhe Kimetja. Babai i saj vendosi që kjo fejesë të prishej dhe nuk e lejoi të takohej më me të. Por një ditë Kimetja shkon tek halla e saj dhe aty takon ish të fejuarin, i cili i thotë që do të të rrëmbej.

Kur babai mori vesh se unë ika mblodhi nipërit e tij, djalin njoftoi policinë. Kur ikim në shtëpi tek vjehrri për një orë vjen policia. Ata thonë që ka lajmëruar babai i Kimetes dhe është bërë shumë keq, kështu që do vini me ne në polici. Vajtëm në polici dhe më pyetën pse ke ikur nga shtëpia. Unë i thashë që burrin tim mora dhe babai më ndau nga ai.

Kimetja u detyrua të rrinte e mbyllur për disa kohë, pasi babai i saj ishte tejet i zemëruar me të, por më në fund ai pranoi që vajza të kthehej në shtëpi. 

Vitet e mia më të lumtura ishin 6 muajt e martesës dhe ato kujtoj gjithmonë si ditët më të bukura.

Po pse u prish e gjithë kjo lumturi?

Nuk e di nëse besoni apo jo, por një person na bëri një magji të fuqishme dhe na ndan me bashkëshortin.

Por çfarë ndodhi?

Ai ndryshoi shumë në sjellje. Nuk më shikonte dot në shtëpi, bëhej agresiv dhe vjehrri dhe vjehrra më kanë mbajtur një vit si vajzën e tyre. Pas një viti vjen vëllai dhe më mer dhe më thotë që nuk do të rrish më këtu do të vish në shtëpi. U ktheva në shtëpinë time dhe për dy javë vjen bashkëshorti i dytë, Veterani. Me të babai kishte krushqi.

Sa vite diferencë kishe me Veteranin?

Kam 22 vjet diferencë moshe. Nuk e refuzova babanë, nuk pyeta për moshën, nuk pyeta për largësinë, por diçka më ka ngelur merak nga Veterani sepse më ka marrë me mashtrime.

Pse?

Kur ai ka ardhur që të më marri i ka thënë babait tim që jam i pasur, kam një vilë, kam para shumë, por doli e kundërta. Kur kam vajtur në Korçë kam gjetur vetëm shtëpinë e ndërtuar me një dhomë. Kam gjetur dy fëmijët e tij dhe asgjë tjetër brenda. Nuk kisha më mundësi të largohesha sepse u martova. U detyrova ta filloja jetën me Veteranin. Ai kishte shumë vese të këqija, pinte alkool dhe të gjitha paratë që fitonte i linte me alkoolin.

Historia me Veteranin vazhdonte e njëjtë dhe Kimetja më pas u detyrua të punonte vetë në një lokal të Korçës, pasi paratë nuk i dilnin. Nga kjo punë ajo tregon se u sëmur, një sëmundje që e ka edhe sot. Nisi ta merrte vetë kontrollin si bashkëshorte pasi lindi dy fëmijët e saj me Veteranin.

Jeton sot Veterani?

Ai sot është i humbur nuk e di nëse është gjallë apo ka vdekur. Prej 6 vitesh është i humbur, pra që më 11 mars të 2011 doli për të shkuar në Korçë dhe që nga ajo kohë nuk është kthyer më. E kam kërkuar gjithandej, por sot mbetet enigmë jeta e tij.

Ti mbete vetëm?

Po vetëm me djalin Stilianin.

Pse po vajza?

Vajza u dashurua me një djalë aty në fshat. Unë isha kundër asaj dashurie.

Pse?

Sepse unë e njihja atë djalë kush ishte dhe bashkë me djalin tim përdorin drogë bashkë. Ai ishte alkoolist.

Edhe djali yt përdorte drogë?

Po në moshën 17 vjeçare djali filloi drogën.

Bashkë me dhëndrin e ardhshëm?

Kur unë mora vesh që vajza ime dashuronte atë djalë nuk doja që ta merrte sespe e dija kush ishte.

Në një farë mënyre po përsëritej historia jote?

Po. E kam marrë vajzën time e kam hequr nga shkolla, e kam çuar në Shkodër dhe e futa në shkollë atje, që të mos kishte kontakt me atë djalin.

Dhe ashtu ndodhi nuk pati kontakt?

Jo, nuk ndodhi ashtu sepse ajo njohu shoqe të reja, ato kishin telefona dhe fliste me të.

E dashuronte atë djalë?

Po e dashuronte shumë. E kthej sërish në Korçë dhe i them që nuk është për ty. Ajo më tha që unë atë dua dhe nuk marr burrë tjetër. Edhe njerëzit e bashkëshortit e kundërshtuan këtë lidhje. Por gjatë këtij momenti ajo shkon në dhomën time dhe pinë ilaçet e mia. E pashë që ishte shumë keq dhe më pas vendosa ta lë të lirë Silvanën, të merrte atë që donte. I thashë që një ditë do të bëhesh pishman për këtë zgjedhje. Që ditën e parë që shkoi tek i shoqi, filloi dhuna fizike dhe Silvana nuk më tregonte. Ngeli shtatzënë me Xhuljanon. I binte të fikët herë pas here dhe vinte i vjehrri i saj në shtëpinë tonë për të na treguar. Pas disa herësh vendos edhe i them se çfarë ke, më trego. Nuk donte të më tregonte, pasi e dinte që unë do mërzitesha. Bashkëshorti i jepte cigare me hashash me zor që ta pinte.

Kimetja tregon më pas se Silvana edhe pse u detyrua të vinte në shtëpi, një tjetër kalvar vuajtjesh nisën për të. Vëllai i vet i droguar filloi ta rrihte. Ajo u detyrua të kthehej pas dy javësh sërish tek bashkëshorti dhe kjo histori zgjati pesë vite.

Unë u largova shkova tek prindërit e mi në Shkodër, mora edhe djalin me vete që ta kuroja, pasi nga droga që pinte më kaloi në probleme psikiatrike.

Të gjitha këto ndodhën kur t’i ishe me Veteranin?

Po.

Po ai çfarë bënte?

Ai nuk bënte dot asgjë sepse djali na torturonte të dyve, na rrihte, na detyronte t’i gjenim lekë.

Djali ku është sot?

Ai jeton i vetëm në Korçë, i mbyllur në vetvete. Ka shtatë vjet që e ka filluar drogën dhe vazhdon akoma. Është i paaftë dhe nuk heq dorë nga droga.

Je munduar ta çosh në qendrat e rehabilitimit?

Unë e kam çuar shumë herë tek toksikologjiku, tek psikiatria e Shkodrës, e regjistruam edhe në një qendër në Vaqarr. Aty qëndroi vetëm një natë dhe të nesërmen iku për në Korçë.

Duhet se çdo ditë në jetën e Kimetes ka diçka të tmerrshme. Ajo u detyrua sërish të kthehej në Rrëmbec të Korçës, djali i saj sa vjen edhe bëhet më i dhunshëm, duke tentuar ta vriste nënën e tij me thikë buke.

I kam dërguar një mesazh Silvanës dhe i kam thënë njofto policinë sepse Stiliani po na ther. Policia është bërë si një shtëpi e dytë për mua. E kam dënuar djalin tim një vit, jo se përdori dhunë ndaj meje, por nuk kisha se çfarë të bëja tjetër se i kisha bërë të gjitha dhe duke biseduar me çdo lloj personi më kanë thënë që e vetmja gjë që ka ngelur për djalin tënd është të futet në burg dhe të lë drogën. E futa në burg dhe aty i është përgjigjur Silvana me gjithçka që ai ka nevojë. Më pas doli nga burgu dhe i them Silvanës që kam frikë t’i dal përballë, se mos mban inatin që e futa në burg. Por, e falënderoj djalin tim se nuk më ka mbajtur inat asnjëherë.

E la drogën?

Jo, sa doli nga burgu ai e filloi sërish drogën. Ai ka pirë edhe gjatë kohës që ishte në burg. Ai nuk heq dorë nga droga. Për gjashtë muaj nuk e kam parë me sy Stilianin. Për çdo gjë e ka mbajtur Silvana. Ai jetonte vetëm në fshat, unë kisha frikë t’i dilja përballë. Tani prej tre majash kemi nisur t’i bëjmë një gjilpërë që duket sikur e ka qetësuar pak. Rasti më i hidhur që do më mbetet deri sat ë vdes ka qenë kur kemi hyrë brenda në dhomën e Stilianit ku kishte shkruar në mur, që kur të vdes dua të kem prindërit afër. Edhe Stiliani e di që do vdesë një ditë.

Ju na folët gjatë për Stilianin, por sot keni thirrur vajzën. Përse?

E kam thirrur që t’i kërkoj falje në emrin tim dhe të djalit tim sepse prej pesë vitesh i kemi shkatërruar jetën. Vajza kur u nda unë nuk i isha pranë, e braktisa vajzën time kur kishte nevojë për mua sepse unë u mora me Stilianin. Vajza dy vite iku nga fshati dhe mori shtëpi me qira në Korçë me dy fëmijët e saj dhe i ka dalë vetë jetës së saj.

Silvana e ndjen që nga ana tjetër e murit është mamaja e saj. Zonja Kimete i jep mesazhin vajzës së saj që duke filluar që tani të shikojë jetën e saj, ta ndërtojë atë dhe që nuk ka asnjë detyrim për nënën dhe Stilianin.

Zoti të bekoftë Silvana, u bëfsh mbretëreshë! / tvklan.al