Kadri Veseli është zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Delegatët kanë aplikuar votim të hapur dhe Veseli nuk ka marrë asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Veseli, që ishte kandidati i vetëm për kryetar, në fjalën tij para votimit final, ka kërkuar që nëse ende dikush dëshiron të kandidojë për kryetar le ta bëjë atë lirshëm, raporton Klan Kosova.

Veseli është zgjedhur kryetar i PDK-së në Konventën e VII-të Jashtëzakonshme të Partisë Demokratike.

Ai në fjalën e tij, menjëherë pas zgjedhjes kryetar i partisë, ka falënderuar paraardhësin e tij Hashim Thaçin, për ndërtimin dhe udhëheqjen e PDK-së derisa e la postin, për t’u bërë President.

Para se të votohej për kryetarin e ardhshëm, kanë folur shumë anëtarë të PDK-së. Disa prej tyre si Nait Hasani e Rexhep Hoti, kanë qenë më të zëshëm në kritikat e tyre.

Ndërsa për të bëmat e PDK-së dhe udhëheqjes së saj me Kosovën kanë folur Enver Hoxhaj, Besim Beqaj, por edhe shumë të tjerë./tvklan.al