Një furgon i linjës Prishtinë – Durrës është bllokuar në hyrje të Tiranë në zonën e “Zogut të Zi”, duke mos shkuar në destinacion.

Pasagjerët kanë denoncuar pranë

tvklan.al

në rubrikën “Kallëzo” duke dërguar foto dhe video, se policia kishte shoqëruar në komisariat shoferin e mjetit për verifikimin e dokumenteve. Sipas denoncimit të pasagjerëve, autobusi ishte ndaluar nga policia rrugore rreth orës 15:45.

Pas kontrollit të dokumenteve të shoferit, ky i fundit u shoqërua në komisariat dhe për rrjedhojë pasagjerët mbetën në rrugë për 3 orë me radhë. Sikurse mund ta shikoni në video, është pikërisht furgoni i linjës Prishtinë-Durrës që është bllokuar nga policia rrugore, ndërsa pasagjerët presin në rrugë për disa orë me radhë për të shkuar në Durrës.

Tvklan.al

u interesua dhe mësoi nga burime pranë Policisë së Tiranës se mjeti i transportit u ndalua për kontroll rutinë. Punonjësit e policisë zbuluan se drejtuesi i furgonit të nisur nga Prishtina (Kosovë) nuk kishte dëshmi profesionale për të ushtruar aktivitetin e transportit të udhëtarëve.

Në këtë mënyrë, ai u shoqërua në komisariat dhe mjeti u bllokua. Punonjësit e policisë u kujdesën që pasagjerët e kësaj linje të shkonin në destinacion, dhe rreth orës 18:50 për ta u vendos në dispozion një furgon tjetër, sikurse mund ta shikoni në videon më poshtë. 

/tvklan.al