6 ditë pas denoncimit të bërë në rubrikën “Kallëzo” në faqen zyrtare të Televizionit Klan,

 www.tvklan.al

nga banorët e rrugës “Aleks Çaçi” në Shkozë, për shpërdorimin e ujit të pijshëm për shkak të amortizimit të rrjetit të shpërndarjes, ka reaguar Ujësjellës – Kanalizime Tiranë.

Pas verifikimeve në terren, grupet e punës kanë bërë riparimin e tubacioneve të amortizuara, duke eleminuar rrjedhjen e mëtejshme të ujit në rrugë.

UKT thotë se ndër prioritetet e shpallura për vitin 2016 është mirëmbajtja e rrjetit në pjesët e amortizuara, ndërhyrjet në të, si dhe investimet në zëvendësim tubacionesh.

Për këtë arsye, ndërmarrja Ujësjellës – Kanalizime inkurajon qytetarët që të vijojnë të raportojnë problematikat e tyre.

Banorët e Shkozës, pak ditë më parë dërguan një video në redaksinë e

tvklan.al

, ndërsa sqaronin se prej disa muajsh në segmente të ndryshme të rrugës, për shkak të amortizimit ishin çarë tubacionet e brendshëm të furnizimit me ujë të pijshëm duke shkaktuar tre “hot spote”, ku uji që vinte në darkë, derdhej pa pushim, duke shkaktuar bllokim të rrugëve kaluese për banorët, si dhe shpërdorim pa kriter të ujit të pijshëm./tvklan.al