Demokratët mblodhën Kuvendin Kombëtar ku miratuan ndryshimet e reja në statut, por forumi më i lartë drejtues i kësaj force politike u bojkotua nga shumica e kritikëve të Lulzim Bashës si Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Arben Imami e Majlinda Bregu. Lulzim Basha zgjodhi ta nisë fjalën e tij me një ‘mea culpa’ përpara 7500 delegatëve të Kuvendit.

“Unë kam bërë gabimet e mia, për të cilat kam pranuar përgjegjësinë time. Jam i vetëdijshëm për gabimet e mija, të diktuara nga rrethanat, koha dhe gjendja në të cilën ndodheshim. Ne nuk ja dolëm ta kurorëzonim me sukses betejën tonë historike për t’i dhënë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ja dolëm të ndanim njëherë e mirë politikën nga krimi, nuk ja dolëm që trafikantët e drogës dhe bosët e tyre politikë t’i çonim para drejtësisë. Por në këtë Kuvend të madh kombëtar, duke lënë pas humbjen dhe zhgënjimin, le ta shikojmë sot njëri-tjetrin në sy dhe të themi njëzëri: KURRË MË!!”

Kritikëve që e akuzojnë se ka marrë peng Partinë Demokratike i  shtriu dorën e bashkëpunimit, ndonëse deklaratat e tyre i cilësoi sulme personale.

“Gjatë muajve të fundit ka patur edhe akuza e sulme personale. Kam zgjedhur të mos u përgjigjem këtyre sulmeve, sepse si kryetar partie më takon mua të parit të të jem më i duruar dhe më i matur, dhe të mos i përgjigjem inatit dhe luftës personale me inat dhe luftë nga karrigia e kryetarit. Unë sot dua serish nga ky kuvend te madh dua t’i shtrij dorën gjithsecilit që dëshiron të kontribuojë dhe te bashkohet me ne për t’i kthyer këtij vendi shpresën dhe besimin tek e nesërmja. Dora ime do të mbetet e shtrirë jo për pazare as për të bërë fotografi, por që sëbashku të ndërtojmë rrugën tonë drejt suksesit, i bindur se është më e lehtë për të ndërtuar ura se sa për të gërmuar hendeqe.”

Akuza adresoi edhe ndaj atyre opozitarëve të cilët tha se kanë meritën për ngjitjen e Edi Ramës në karrigen e kryeministrit.

“Ka njerëz që shikojnë vetëm faktin që Edi Rama është në pushtet dhe na fajësojnë ne. Por e vërteta është se Edi Rama nuk është sot në pushtet se Partia Demokratike nuk e luftoi apo nuk bëri atë që duhet. Është në pushtet nga ata që punojnë për të, nën maskën e opozitarit duke luftuar Partinë Demokratike.”

Fitorja thotë se mund të vijë përmes bashkimit, ndaj dhe ndryshimi shprehet se duhet të nisë nga vetja.

“Që nesër në qeverisje të demokratizojmë, modernizojmë dhe forcojmë Shqipërinë. Ne po e hapim PD-në: Sot kushdo mund të kandidojë për PD-në. Ne po u japim pushtet anëtarëve, askush nuk mund të bëhet deputet nëse nuk është përzgjedhur nga anëtarësia me një anëtar një votë. Ne po rrisim llogaridhënien e drejtuesve te partisë, sot kushdo mund t’i kërkojë llogari dhe të kërkojë largimin e kryetarit në çdo kohë. Konkurrenca demokratike, vendimmarrja tek anëtarët, qarkullimi i elitave duhet të jetë themeli i organizimit të PD-së.”

Jo pak akuza shigjetoi në adresë të kryeministrit Rama, të cilin e bëri përgjegjës për krizën që po kalon vendi, duke paralajmëruar një skenar akoma më të errët.

“Sot është dita që ai të ndalet para se te jetë vonë, përpara se ta çojë vendin në destabilizim ekonomik, social dhe politik se s’mund të këtë stabilitet në krim, me një ekonomi të kapur nga krimi e korrupsioni. Nevoja për ndryshim është urgjente dhe duhet të filloje tani.”

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar, Basha prezantoi edhe platformën ekonomike të Partisë Demokratike, që sipas tij parashikon uljen e taksave, anulimin e  PPP të dyshimta, kthimin e pronës pronarit të ligjshëm, më shumë subvencione për fermerët  apo dhe anulimin e ligjit të arsimit të lartë.

Tv Klan