Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj kreu sot një inspektim ajror për të monitoruar gjendjen e kultivimit të lëndeve narkotike Cannabis Sattiva.

Në një njoftim për shtyp thuhet se gjatë këtij inspektimi, që u shtri në të gjithë territoret që kanë qenë problematike gjatë vitit të kaluar, nuk është evidentuar asnjë rast i kultivimit të bimëve narkotike.

Edhe nga raportimet që Ministri Demiraj ka marrë nga Policia e Shtetit nuk rezulton të ketë kultivim në masë të lëndëve narkotike, me përjashtim të rasteve të izoluara që janë evidentuar dhe asgjësuar.

Në njoftim thuhet gjithashtu se Ministri Demiraj ka inkurajuar Policinë e Shtetit të përqendrohet në evidentimin dhe sekuestrimin e sasive stok të lëndëve narkotike të trashëguara nga viti i kaluar, në mënyrë që trafikimi i tyre jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të minimizohet dhe parandalohet plotësisht./tvklan.al