Kultivimi i kanabisit, korrupsioni dhe lufta kundër krimit të organizuar janë shqetësimi për Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Kreu i akuzës, gjatë një konferencë me Ministrin e Drejtësisë, Petrit Vasili foli me shqetësim për asgjësimin e drogës së sekuestruar dhe administrimin e provave.

Administrimi i provave ishte një tjetër problem që Kryeprokurori ngriti.

“Një problematikë tjetër, të cilën kemi diskutuar në mënyrë të vazhdueshme me drejtuesit e prokurorive dhe të gjitha strukturat tona, mbetet mënyra e administrimit të provave materiale. Posaçërisht në rastin e lëndëve narkotike. Në mënyrë të vazhdueshme bëhen publike të dhëna dhe çdo ditë sekuestrohen sasi të konsiderueshme lënde narkotike, asgjësohen lëndë narkotike, ndërsa nga ana tjetër thuajse ka një mos përfshirje totale të prokurorëve për mënyrën sesi administrohen dhe sekuestrohen, asgjësohen këto lëndë narkotike. Është detyrim ligjor i secilit prej nesh që të identifikojë këto raste, për të vendosur përpara përgjegjësisë ligjore, kur konstatohet se lënda narkotike dhe provat e tjera materiale, asgjësohen në mënyrë jo të parashikuar nga ligji. Në të gjitha rastet, lënda narkotike ashtu si në të gjitha rastet e tjera duhet të asgjësohet në prani të prokurorit. Është një problematikë të cilën e kemi diskutuar edhe më herët, janë orientuar të gjitha strukturat tona. Ju rikërkoj që të gjitha rastet ku ka dyshime se provat materiale asgjësohen në mënyrë të kundraligjshme të fillojnë hetimet për të verifikuar nëse kjo lëndë narkotike, apo çdolloj lënde tjetër, prova të tjera materiale nuk asgjësohet apo nuk administrohet në mënyrë të parashikuar në ligj, të fillojnë hetimet dhe të vendosen përpara përgjegjësisë ligjore autorët.”

Për Ministrin në Drejtësisë lufta kundër lëndëve narkotike dhe krimit të organizuar kërkon bashkëpunim dhe investime nga ana e qeverisë.

Deklaratat u bënë gjatë prezantimit të rekomandimeve të qeverisë për Prokurorinë e Përgjithshme për vitin 2017.

Tv Klan