Policia gjermane arrestoi një 57-vjeçar shqiptar, që po transportonte me një kamion me targa shqiptare, një sasi të konsiderueshme droge. Bëhet fjalë për 230 kilogram kanabis, me vlerë tregu 570 mijë euro.

Sipas policisë gjermane, droga ishte ngarkuar në Itali dhe përmes Gjermanisë do të trafikohej drejt Holandës.

Droga u zbulua rastësisht. Policia ndaloi shqiptarin në një postbllok pranë Pasaut, në shtetin federal gjerman të Bavarisë.

Dyshimi për drogë lindi pasi gjatë kontrollit, kamioni binte erë kanabis. Qeni antidrogë zbuloi sasinë e konsiderueshme të lëndës narkotike të fshehur nën dyshemenë e karrocerisë.  Kanabisi ishte ndarë në 288 qese plastike.

Në kamion u zbuluan edhe 72 qese bosh, që mund të përdoreshin për të paketuar një sasi shtesë kanabisi. Shoferit shqiptar 57-vjeçar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia gjermane i është dhënë masa e sigurisë arrest me burg./tvklan.al