Pjesa më e madhe e njerëzve të diagnostikuar me formën vdekjeprurëse të kancerit në lëkurë kanë më shumë se 20 nishane në trup.

Është ky paralajmërimi i ekspertëve, sipas të cilëve, ky zbulim është i rëndësishëm pasi ndryshimi i nishaneve, apo nishanet jo të rregullt, besohet të jenë shenja kryesore e melanomës.

“Ekspertët dhe pacientët nuk duhet të mbështeten në numrin e nishaneve për të kryer një ekzaminim të lëkurës, apo për të përcaktuar statusin e rrezikut që mund të ketë një pacient”,

kështu deklarojnë shkencëtarët e Universitetit të Harvard – it, që sjellin të dhëna të reja në këtë fushë.

Studime të mëparshme kanë dalë në konkluzionin se numri i nishaneve dhe nishanet jo normalë, lidhen me rrezikun e lartë të sëmundjes.

Por lidhja mes këtyre nishaneve, trashësisë së tumorit dhe prognoza e kancerit është më komplekse nga ç’duket.

Tashmë ekspertët sugjerojnë se mjekët nuk mund të mbështeten më tek nishanet, si tregues i sëmundjes.

Rezultatet e tyre treguan se 2 në 3 pacientë me melanomë, kishin më shumë se 20 nishane në trup.

Nga ana tjetër, shumë pak pacientë të prekur nga melanoma kishin nishane “të rrezikshëm” dhe gati tre e katërta e atyre që u analizuan nuk kishin nishane jo të rregullt.

Dr. Alan Geller, i cili e drejtoi këtë studim, tha se besohet ende që numri dhe tipi i nishaneve në trupin e një personi lidhet me rrezikun e tyre për shfaqjen e sëmundjes.

Por të dhënat e reja, tregojnë se marrëdhënia midis këtyre treguesëve është shumë komplekse.

Shkencëtarët studiuan lidhjen mes numrit të nishanëve dhe atyre “jo tipikë” në zhvillimin e melanomës.

Ata ekzaminuan 566 pacientë me melanomë, pjesa më e madhe e të cilëve (66.4 përqind) kishin 0 deri në 20 në total në trupin e tyre.

Ndërkohë, 73.3 përqind (415 pacientë) nuk kishin nishanë të ç’rregullt.

Në pacientët më të rinj se 60 – vjeç, të paturit më shumë se 50 nishane, rreziku për të zhvilluar melanomë të trashë, një formë më e avancuar e sëmundjes, rezultoi më i ulët.

Stadet e melanomës përcaktohen në bazë të trashësisë që ka në lëkurë.

Zakonisht tumorët më pak se 1 mm të trashë kanë shumë pak shance për t’u përhapur.

Sipas American Cancer Society, sa më e trashë të bëhet melanoma aq më shumë shance ka për t’u përhapur.

Dr. Geller dhe grupi i shkencëtarëve zbuluan gjithashtu se pacientët më të rinj se 60 – vjeç, të cilët kishin më shumë se 5 nishane “jo tipikë”, krahasuar më ata që nuk kishin asnjë, ishin më shumë të rrezikuar për t’u prekur nga melanoma.

Sipas Dr. Geller, për shkak të këtyre rezultateve, ekspertët dhe pacientët nuk duhet të bazohen më në numrin dhe llojin e nishaneve që kanë, pasi rezulton se nuk janë treguesit kryesor.

Studime të mëparshme kanë dalë në konkluzionin se ata që kanë më shumë se 5 nishane në krahun e tyre të djathtë, kanë 9 herë më shumë shance për të patur 50 të tillë në të gjithë trupin. /tvklan.al