Kryetari i Komisionit të Çështjeve të Jashtme në Parlamentin Finlandez, ish-Kryeministri dhe kandidati për president të ardhshëm të vendit,  Matti Vanhanen, priti në një takim kryeparlamentarin shqiptar, Ilir Meta dhe Kryetaren e Komisionit të Punëve të Jashtme, Arta Dade.

Vanhanen i vlerësoi marrëdhëniet politike mes Shqipërisë dhe Finlandës si shumë të mira dhe shprehu mbështetjen finlandeze për avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

Në një prononcim për mediat, ai  tha se vizita e Metës në Finlandë “është një tregues i marrëdhënieve të shkëlqyer që ne kemi mes dy vendeve. Ju uroj suksese në rrugën tuaj drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në BE.”

“Finlanda ka qenë gjithmonë një mbështetëse e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE”, tha ai.

Meta dhe Vanhanen ndanë bindjen se dy parlamentet duhet të rrisin kontaktet dhe të shtyjnë përpara një axhendë të përbashkët bashkëpunimi në fushat e arsimit, teknologjisë, turizmit dhe shkëmbimeve njerëzore.

 Meta tha se “ishte kënaqësi e jashtëzakonshme për mua dhe për Kryetaren e Komisionit të Jashtëm, znj. Dade për t’u takuar me një personalitet të jashtëzakonshëm të politikës finlandeze, aktualisht Kryetar i Komisionit të Jashtëm z. Vanhanen, Kryeministër i Finlandës për një periudhë të gjatë, por edhe kandidat për president për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.”

Kryeparlamentari ftoi Vanhanen për një vizitë në Shqipëri, ftesë të cilën ai tha se do ta marrë në konsideratë me kënaqësi.

Ky takim erdhi në përfundim të vizitës zyrtare të Metës në Finlandë. /tvklan.al