Kur duhen vetëm pak ditë nga raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Francë, kandidatja e Frontit National, Marine Le Pen, është vënë në qendër të kritikave për shkak se ka kopjuar fjalimin e ish-rivalit të saj, Fronsua Fijon.

Pretendentja e ekstremit të djathtë për Elizenë, mbajti të hënën një fjalimi identik me atë të ish-kandidatit të Republikanëve, duke e kopjuar atë fjalë për fjalë.

Plagjatura e Le Pen u pikas nga kanali francez në youtube “Ridicule TV”, një media pranë Fronsua Fijonit. Për të folur për Francën, Marine Le Pen është e detyruar të kopjojë fjalë për fjalë fjalimin e Fijon, ironizoi media online. Për të përditshmen franceze “Liberation”, ai që duhet të ishte një fjalim kyç i raundit të dytë për Le Pen, u kthye në paraqitje qesharake.

Ngjarja e pazakontë sjell në vëmendje, kopjimin e Zonjës së Parë të SHBA-ve, Melania Trump, e cila korrikun e kaluar, gjatë fushatës presidenciale amerikane, u akuzua për një fjalim shumë të ngjashëm me ish-Zonjën e Parë, Michelle Obama./ TV KLAN