“Prej ditësh, qindra qytetarë e biznese presin të marrin përgjigje nga zyrat e Hipotekës nëse e kanë të lirë pronën ku do të ndërtohet për të marrë më pas lejen. Por kjo nuk ndodh për një fakt banal: inxhinieri është pushuar nga puna dhe deri tani askush nuk e ka zëvendësuar.”

Kjo situatë ndodh prej afro një muaji. Zyrat e Hipotekës në Tiranë nuk japin shërbim për qytetarët dhe bizneset, të cilët kanë aplikuar për të marrë lejen e ndërtimit.

Aplikimi bëhet online në portalin

e-leje

, sipas një projekti të qeverisë dhe donatorëve të huaj, përfshirë Bankën Botërore, që u financua për të zgjidhur problemin e vonesave dhe burokracive me lejet e ndërtimit. 

Por që sistemi të funksionojë duhet në radhë të parë të funksionojnë njerëzit që janë pjesë e tij.

Hipoteka e Tiranës nuk po u kthen përgjigje qytetarëve që aplikojnë për të marrë dokumentacione të ndryshme, si për shembull që prona ku do të ndërtohet është e lirë dhe nuk ka mbivendosje të pronarëve.

Kjo ndodh për faktin e thjeshtë se prej 1 muaji mungon inxhinieri që ka në dorë nënshkrimin elektronik.

Inxhinieri është pushuar nga puna dhe edhe pse kanë kaluar afro 30 ditë, Hipoteka e Tiranës nuk ka mundur ta zëvendësojë.

Pra, për 1 muaj me radhë, asnjë nga qytetarët, pronarët apo biznesmenët që ka aplikuar online në zyrën e Hipotekës, nuk ka mundur të marrë përgjigje.

Televizioni Klan kontaktoi me kryeregjistruesin Eljon Semanaj, i cili u përgjigj duke thënë se ka vetëm 6 ditë në këtë detyrë dhe se ka ngritur një grup pune për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate.

Mësohet se vetëm Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme e Tiranës ka 37 vende bosh në stafin e saj, të cilat kanë sjellë volume pune për specialistët që kanë mbetur në organikë dhe që kanë prodhuar vonesa për qytetarët.

Burime brenda Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme thonë se shkresat për të plotësuar vakancat janë bërë, por në kohën që kanë ndodhur ato, nuk ka patur drejtues që t’i zbatojë, për faktin se të gjithë drejtuesit e hipotekave u detyruan të japin dorëheqjen me kërkesë të kreut të qeverisë. 

Tv Klan