Moti i keq dhe temperaturat e ulëta kanë shkaktuar kaos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në aeroportin John F. Kennedy në Nju Jork, më shumë se 6 mijë fluturime janë anuluar dhe janë shtyrë për shkak të stuhisë. Me qindra pasagjerë kanë mbetur të bllokuar në aeroport, të cilët janë detyruar të kalojnë natën aty.

Nga ana tjetër, dy aeroplanë janë përplasur me njër-tjetrin në pistën e aeroportit.

Një aeroplan që po tërhiqej nga rimorkio është përplasur me aeroplanin e linjës së Kuvajtit, duke bërë që ky fluturim të anulohej. Dy aeroplanët ‘Boeing 777’ u përplasën në pjesën e bishtit duke shkaktuar dëme materiale, por asnjë person nuk u lëndua.

‘Kuwait Airways’ shkruajti në Twitter se aeroplani i tyre nuk mund të fluturonte për shkak të dëmtimeve që kishte pësuar nga përplasja. Pasagjerët e këtij fluturimi u dërguan në hotel deri në nisjen e radhës drejt destinacionit.

Autoriteti Portual tha se fluturimet në aeroportin John F. Kennedy ishin të kufizuara për shkak të stuhisë së quajtur “bombë” që goditi vendin. /

tvklan.al