Rreth 700 kg kanabis janë sekuestruar sot në fshatin Akërni, pranë hidrovorit në qytetin bregdetar të Vlorës.

Sipas policisë, në afërsi të drogës janë gjetur edhe 48 bidona me nga 60 litra benzinë, gjithsej 2880 litra sidhe një automjet Furgon, bosh pa ngarkesë.

Operacioni i sotëm është vazhdim i operacionit ndërkombëtar të nisur ditën e djeshme nga Policia e Vlorës dhe Guardia di Finanza, nga i cili u sekuestruan rreth 650 kg lëndë narkotike në ujërat ndërkombëtare si dhe u kapën dhe u ndaluan dy trafikantë.

Gjatë krehjes së zonave të bregdetit u gjet lënda narkotike pranë ”hidrovorit” në Akërni, Novoselë. Ajo ishte fshehur në një zonë pyjore në 29 pako të mëdha me peshë 20 deri në 25 kilogramë secila.

Nga hetimet paraprake dyshohet se dy personat e kapur në Itali në operacionin e përbashkët, në bashkëpunim me dy persona, emrat e të cilëve nuk jepen për arsye hetimi, do të trafikonin në Itali edhe këtë sasi droge.

Policia Shqiptare thekson se bashkëpunimi me Zyrën Interforcë të Policisë italiane dhe Guardia di Finanzan vazhdon./tvklan.al

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/2020629134890114/