Dy persona të njohur nga policia si lidhje të Elton Çiçës, njëri prej të cilëve polic i burgut të Tepelenës, u arrestuan nga njësia “Shqiponja” në Tiranë  mbrëmjen e të shtunës.

Gentian Muçaj, 36-vjeç, i dënuar më parë për rrëmbim personi dhe Mirald Meça, 28-vjeç, polic në burgun e Tepelenës, u kapën me dy pistoleta pa leje në rrugën Vorë Rinas.

Ata udhëtonin me një autoveturë tip Audi të blinduar, ndërsa me vete kishin dy armë zjarri, një pistoletë TT me 7 fishekë, si dhe një tjetër të markës “Grand Power”, me 15 fishekë, qe te dyja pa leje.

Dy personat mësohet se udhëtonin në drejtim të Tepelenës, ku efektivi i policisë duhej të paraqitej në punë.

Burimet e policisë thonë se të arrestuarit kanë pretenduar se mbanin armë me vete për vetëmbrojtje, por pa specifikuar shkakun.

Nga verifikimet e policisë, është mësuar se dy personat kishin lidhje dhe njohje me Elton Çiçën, i vrarë në atentat në një lokal në zonën e ish- bllokut në vitin e kaluar, si pjese e një zinxhiri hakmarrjesh mes grupit te tij dhe atij te Jani Aliajt, që është i shpallur në kërkim si autor i vrasjes.

Tv Klan