Ismail Saliu, i shpallur në kërkim si një prej administratorëve të magazinës ku u gjetën rreth 12 ton kanabis, është arrestuar nga policia.

Bëhet fjalë për drogën e gjetur në një magazinë në fshatin Pagri të Përmetit, në Prill të këtij viti. Ndaj 61 – vjeçarit ishte caktuar masa e sigurisë arrest me burg në mungesë, pasi gjatë operacionit ai kishte arritur të arratisej.

Saliu u arrestua në Gjirokastër dhe mbi të rëndojnë akuzat e prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike, organizatë kriminale dhe kryerje e veprave nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.

Ismail Saliu ishte pjesë e një grupi që merrej me mbjelljen, kultivimin, grumbullimin dhe më pas trafikimin e kanabisit. Në operacionin e zhvilluar më 8 Prill, policia zbuloi 3 depo dhe në njërën prej tyre u gjetën plot 11.650 kilogramë kanabis, e cila ishte futur në thasë plasmasi të ambalazhuar.

Në atë kohë policia mundi të arrestonte dy prej administratorëve të këtyre depove, si dhe shpalli në kërkim personin e tretë që administronte këto depo, pikërisht 61 – vjeçarin Ismail Saliu.

/tvklan.al