Një 44 –  vjeçar dështoi në tentativën për të trafikuar drogë jashtë vendit. Policia e portit të Durrësit arriti të zbulojë në automjetin e tij rreth 21 kilogram kanabis e destinuar për tu tregtuar në Gjermani me vend kalimi tranzit italinë.

Sipas policisë 44 – vjeçari Saimir Dervishi në rolin e korrierit  e kishte fshehur lëndën narkotike në pjesën e përparme të automjetit. Pas dedektimit agjentet nxorën një nga një të gjitha pakot që ishin futur në krahun e shoferit.

Mjeti Citroen iu nënshtrua një kontrolli të hollësishëm, nisur nga dyshimet por edhe informacionet që policia kishte për 44 – vjeçarin me banim në Vlorë.

Saimir Dervishi i kapur në flagrancë akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike të mbetur në tentativë dhe për masën e sigurisë së tij do të vendosë gjykata e Durrësit. Ndërsa po hetohet për të zbuluar se kush ishin krerët e trafikut dhe porositësit.

Javët e fundit agjentët e antidrogës në Portin e Durrësit kanë arritur të bllokojnë disa ngarkesa me kanabis që synohej të kalonin jashtë vendit.

Tv Klan