Lajmin e publikuar nga mediat italiane për sekuestrimin e mbi 700 kilogramëve kanabis në brigjet e Lecce -s e ka konfirmuar edhe Policia e Shtetit. Përmes një njoftimi zyrtar sqarohet se bëhet fjalë për një operacion të përbashkët mes policisë së vendit tonë dhe asaj italiane.

Sipas policisë, në orët e para të mëngjesit së ditës së sotme, Njësitë Aerodetare të Guardia di Finanza, pas sinjalizimeve të dhëna nga Policia e Shtetit Shqiptar, kanë arritur të ndalojnë një gomone rreth 6 metra në Torre Chianca – Lecce.

Në bordin e saj ndodheshin dy shqiptarë të cilët u vunë në prangat e policisë italiane. Të arrestuarit janë 43 – vjeçari me iniciale A.P. dhe 39 – vjeçari me inicale G.S.

Gomonia, sipas policisë, kishte dy motorë prej 250 kuaj fuqi dhe një tjetër motor rezervë në bord.

Të ndihmuar nga njësia ajrore e Frontex me avion dhe helikopter të Guardia di Finanza është bërë i mundur ndalimi dhe sekuestrimi i gomones. Policia e Shtetit thotë se ka shkëmbyer në kohë informacion me GdF dhe po punohet bashkarisht për hetimin e ngjarjes.

12:00 – Lajmi i publikuar më herët nga mediat italiane:

Plot 732 kilogramë marijuanë janë sekuestruar në brigjet italiane, ndërsa në pranga kanë përfunduar dy skafistë shqiptarë.

Mediat italiane shkruajnë se policia ka ndaluar një gomone në brigjet e Lecce-s, në bordin e së cilës ishte fshehur lënda narkotike.

foto-marijuana-3-2-2

Dy shqiptarët, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur kanë tentuar të arratiseshin për t’i shpëtuar policisë, por nuk kanë mundur.

Droga e sekuestruar nga policia italiane kap vlerën e mijëra eurove .

Më vonë policia do të japë edhe detaje të tjera rreth operacionit./tvklan.al