Tjetër rast i trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë është goditur nga policia italiane në Bari.

Autoritetet kanë bllokuar një gomone me 1.5 ton kanabis sativa dhe ka arrestuar dy skafistët shqiptarë. Ata janë me iniciale V.L 31 vjeç dhe T.N 26 vjeç.

Gomonia ishte 10 metra e gjatë dhe kishte dy motorë të fuqishëm. Hetuesit italianë thonë se lënda narkotike ishte e ndarë 64 pako. Sipas tyre, nëse droga do të shitej me pakicë do të kapte një vlerë prej 15 milionë Euro.

Dy skafistët shqiptarë, identiteti i të cilëve nuk është bërë me dije për shkak të hetimeve, tentuan të arratiseshin në det të hapur dhe shtuan shpejtësinë e gomones kur panë se po ndiqeshin nga Guarda di Finanza.

Por, tentativa e tyre për t’u arratisur dështoi dhe u dorëzuan. Sipas mediave italiane, për goditjen e këtij rasti të trafikut të drogës pati një bashkëpunim mes autoriteteve italiane dhe policisë shqiptare në Durrës.

Kujtojmë se dy ditë më parë, sërish në Itali u kap në zonën e Ferrara 2 ton kanabis që po transportohej me 2 furgonë dhe u arrestua një 19-vjeçar nga Vlora. /

tvklan.al