Forcat speciale të RENEA-s, arrestuan mëngjesin e të kësaj të enjteje Astrit Sufalin 44 vjeç, i kërkuar nga autoritetet italiane, pasi është dënuar nga Gjykata e Breshias me 19 vite burg për akuzën e vrasjes.

Rreth orës 5:00 në të gdhirë njësitë speciale të RENEA-s rrethuan banesën e tij. Pas negociatave me familjaret, ai u dorëzua dhe u dërgua në Policinë e Elbasanit.

Sufali e kishte kryer vrasjen ne vitin 2013 në Breshia dhe menjëherë me pas u arratis në Shqipëri. Për t’i shpëtuar drejtësisë ai kishte ndërruar emrin katër herë duke e kthyer në Adriano Sufali, Arben Zaimi, si dhe Josko Rançiç.

Me 25 nëntor të vitit 2015, i shumëkërkuari u arrestua nga Policia e Elbasanit për llogari të Italisë. Gjykata e Shkallës së parë vendosi masën e sigurisë arrest shtëpie deri në fund të procesit të ekstradimit.

Në muajin prill, Gjykata e Apelit në Durrës kishte pranuar ekstradimin e tij, por Sufali, nuk ishte gjetur në banesë, kur policia kishte shkuar për ta marrë.

I arrestuari pritet të ekstradohet në Itali, ku duhet të vuajë dënimin për vrasjen e kryer.

Tv Klan