Policia e Athinës ka sekuestruar një sasi të madhe kokaine gjatë një operacioni anti-drogë. Sipas mediave vendase, janë kapur 135 kilogramë kokainë dhe është arrestuar poseduesi. Ai është një shtetas i huaj, ndërsa nuk bëhen me dije të tjera të dhëna për të.

Aksioni u zhvillua në rajonin Varkiza. Forcat e policisë ndërhynë në banesën luksoze të poseduesit të kokainës dhe e arrestuan në momentin kur ai flinte gjumë. Policia greke sekuestroi edhe 12 mijë Euro cash në banesën e poseduesit të lëndës narkotike. Autoritetet kishin marrë informacion vazhdimisht për këtë trafik droge dhe ndërhynë brenda banesës pasi kishin marrë urdhër nga Gjykata.

Sipas hetimeve paprake, kokaina shpërndahej në lokalet e natës dhe klientët ishin njerëz të pasur. Dyshohet se bëhet fjalë për një rrjet të mirëorganizuar i përbërë nga disa anëtarë. I arrestuari do të merret në pyetje për të mësuar personat e tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

/tvklan.al