Dy shqiptarë të cilët punonin si “mbikëqyrës” të një rrjeti tregtarësh kokaine nëpër rrugët e Londrës janë burgosur pas një hetimi nga detektivët londinezë.

Ardit Dushaj, 30 vjeç nga Holden Close, Dagenham u dënua me 10 vite burg ndërsa Ariston Marku 23 vjeç nga Benares Road, Plumstead me 6 vite burg sepse bënin pjesë në një bandë të organizuar kriminale.

Dënimi i tyre u dha dje në Gjykatën e Southwark Crown. Ata u shpallën fajtorë për konspiraci të shpërndarjes së drogës të klasit të parë.

Duke mos qenë të përfshirë vetë fizikisht në furnizimin ose shpërndarjen me kokainë, Ardit Dushaj dhe Ariston Marku pranuan se kishin qenë mbikëqyrës dhe kontrollues të shpërndarjes të drogës në kryeqytetin londinez.

Në Gjykatë u paraqitën provat e mbledhura nga detektivët londinezë të një rrjeti kriminal të organizuar shpërndarësish droge kryesisht shqiptarë që kanë hyrë në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme, të cilët ishin nën drejtimin e Dushajt dhe Markut.

 Nëntor 2015

Vepra kriminale u zbulua fillimisht nga Illr Dushaj, një shpërndarësi rruge, i cili u arrestua nga oficerët e Policisë së qytetit në nëntor të vitit 2015, ndërkohë që ishte duke bërë një marrëveshje në shpërndarjen e një sasie droge.

Ai u dënua me 40 muaj për posedim kokaine me qëllim shpërndarjeje e furnizimi.

Në një kontroll që iu bë telefonit të tij celular u zbulua një bisedë e stërzgjatur me  një tjetër numër telefoni, që besohej se ishte shefi i tij në përpjekje të dëshpëruara për të kontaktuar me të.

 Kjo çoi në hetimin për të zbuluar se kush fshihej pas operacionit.

Korrik 2016

 Në mbrëmjen e 28 korrikut 2016, Ardit Dushaj u arrestua nga Policia e qytetit të Londrës, pasi u ndalua ndërsa po ngiste një Renault Laguna në Roding Lane në jug të Ilford, Essex. Ai dha një emër dhe një adresë të rreme, ndërkohë që vëllai i tij Merlindi që gjendej në makinë, dha një adresë për në rajonin Norfolk.

Një dokument i gjetur në makinë i drejtoi oficerët të besonin se shtëpina e tyre aktuale është në Dagenham, ku policia zbuloi kokainën, të hollat dhe droga të tjera, duke përfshirë letra të shkruara më dorë në gjuhën shqipe, me kategori “përfitimi, furnizimi, makina”, etj.

Në shkurt të vitit 2016, një shofer shqiptar u ndalua nga punonjësit e Policisë së qytetit pas një marrëveshje kokaine të bërë në rrugën Rawstone, EC1. Në automjetin e tij u gjet një dokument i identifikimi me emër të rremë që mbante foton e  Ardit Dushajt.  Të dy numrat e telefonit të kontaktuar nga tregtari dhe konsumatori ishin në posedim të Dushajt dhe kështu më vonë u bë i mundur arrestimi i tij në muajin korrik.

Katër muaj më vonë, më 30 qershor, një tjetër burrë u ndalua nga policia në rrethana të ngjashme, i cili po ngiste një makinë të përdorur më parë nga Ardit Dushaj. Shoferi shqiptar u arrestua për posedim kokaine me qëllim furnizimi Në fillim ai deklaroi se ishte lituanez. Në telefonin e tij, numri i Arditit ishte i listuar së bashku me një fotografi të tij. Historiku i mesazheve midis këtij njeriu dhe Arditit tregonte për diskutime të detajuara në lidhje me marrëveshjet, ku Arditi e quante mikun e  tij me nofkën “kafsha”.

Ariston Marku kapi vëmendjen e policisë, kur u arrestua nga Policia Metropolitane më 21 qershor të vitit 2016 nga ana e zyrtarëve për hyrje të paligjshme në Britaninë e Madhe. Në një kërkim të mëvonshëm në makinën e tij u zbuluan nëntë pako kokainë. Marku u arrestua më vonë nga oficerët në një kafene në jug të Londrës, më 10 gusht të vitit 2016. Kur Ardit Dushaj u arrestua në korrik të vitit 2016 ai fillimisht dha një adresë të rreme në polici. Adresa është e njëjtë me adresën e rreme që lidhej me Ariston Markun.

 Detektiv Constable Sally Prinsloo nga ekipi policesk i Londrës, tha:

“Ardit Dushaj dhe Ariston Marku përdorën një metodë shpërndarjeje të drogës të ngjashme me një sistem të prenotimit të një taksie, duke lejuar një” klient “të telefonojë një numër për të organizuar një blerje, ndërsa ata veprojnë si koordinatorë, duke shënuar vendin dhe drejtimin e shoferëve për vendin.

“Ata mendonin se kjo qasje do t’i mbronte ata dhe bashkëpunëtorët e tyre të mos dalloheshin nga policia, ndërkohë që përfituan nga ky komplot për të furnizuar drogë nëpër rrugët e Londrës dhe më gjerë.

“Hetimi i aktiviteteve të atyre që janë përfshirë, tregon se nuk ka rëndësi se sa të sofistikuar mendojnë se janë tregtarët e shpërndarjes së drogës, Policia e Londrës është në gjendje të përdorë ekspertizën e saj hetimore për këto krime.

“Ky rast nxjerr në pah një trend shumë shqetësues që kemi vënë re në qytete dhe në kryeqytet, meshkujt shqiptarë, të cilët kanë hyrë në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme, duke u punësuar nga ndërlidhës droge për konsumatorët dhe duke përdorur dokumente të rreme në përpjekje për të shmangur arrestimin. Ne punojmë ngushtë me Shërbimin Policor Metropolitan dhe agjenci të tjera partnere, për të synuar këtë lloj aktiviteti dhe do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për t’i sjellë këta njerëz para gjykatave”./tvklan.al