1.6 ton hashash është sasia që u sekuestrua nga policia greke mbrëmjen e të shtunës në një gomone që ishte ngarkuar me drogë në jug të Shqipërisë. Policia greke njoftoi se gjatë operacionit antidrogë u arrestuan në total 10 persona, mes të cilëve 6 shqiptarë e dy italianë.

Njëri prej skafistëve shqiptarë mbeti i plagosur pasi u qellua me snajper nga policia greke. Siç thuhet në komunikatë, forcat detare greke iu kundërpërgjigjën zjarrit që hapën 3 personat që ndodheshin në skaf, mes të cilëve 2 shqiptarë dhe 1 italian.

Gomonia u kap pranë brigjeve të ishullit Xia në Egje, në përfundim të ndjekjes që zgjati 24 orë.

Mjeti lundrues, i gjatë 12 metra, kishte tre motorë secili nga 350 kuaj fuqi. Lënda narkotike ishte fshehur në pjesën e poshtme.

Në komunikatë thuhet se forcat detare greke kishin thirrur në ndihmë një helikopter policie, në bordin e të cilit kishte qitës me snajper. Policia greke kishte informacione paraprake mbi emrat e pjesëtarëve të organizatës, veprimet e tyre, të dhëna mbi gomonen dhe për këtë organizoi operacionin ku morën pjese skafe te policisë, avion i FRONTEX, helikopter dhe snajperistë.

Paralel me ndjekjen e gomones, në Athinë zhvillohej aksioni për shkatërrimin e pjesës tjetër të bandës, ku u arrestuan 7 persona. Policia u sekuestroi atyre një skaf tjetër, edhe më i fuqishëm se i pari, me katër motorë.

Tv Klan