Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi dje pasdite një bashkëbisedim me të rinjtë e FRESSH-it në kampingun e Jalës, duke u dhënë përgjigje edhe disa prej pyetjeve me interes për modelin e zhvillimit të Tiranës, çështjet që shqetësojnë të rinjtë, si dhe angazhimin e tyre në politikë.

Duke u ndalur në fitoren fantastike që Partia Socialiste mori në zgjedhjet e 25 qershorit, kryebashkiaku Veliaj theksoi se kjo ishte meritë e punës së përbashkët që është bërë nga të gjithë. Por, kryebashkiaku shtoi se tani vjen edhe pjesa më e vështirë, pasi besimi i marrë në zgjedhje duhet të përkthehet në sa më shumë punë për transformimin e Shqipërisë.

“Fitorja ishte një eufori, një histori bindëse, një punë në terren, por që në fakt nuk ishte qëllim në vetvete. Qëllim nuk është fitorja e pushtetit, qëllim është ndryshimi i Shqipërisë. Fitorja e pushtetit është mjeti me të cilin ne ndryshojmë Shqipërinë. Qeveria, bashkia, ministritë, drejtoritë e ndryshme, janë mjete, nuk janë qëllim në vetvete”

, theksoi ai.

Lidhur me diskutimet për sheshin “Skënderbej”, Veliaj u shpreh se transformimi i tij është një nga projektet më të suksesshme jo vetëm në Shqipëri.

“Sot sheshi ‘Skënderbej’ është një nga projektet më të suksesshme jo në Shqipëri, por në botë. Muajin tjetër do të jemi në Çikago për të marrë një çmim për sheshin “Skënderbej”, është kryevepër i mbushur me kaq jetë. Pastaj, krejt papritur dalin këta gjithologët që bëjnë sikur marrin vesh nga gjithçka. Po i dëgjuat, po harxhuat kohë me ta, bëni një gabim fatal sepse harxhimi i kohës tuaj është krimi më i madh që mund të bëni”

, u shpreh Veliaj.

I pyetur nga të rinjtë në lidhje me kartën e studentit, kryebashkiaku i Tiranës dha lajmin e mirë se ky proces do të përfundojë brenda vitit.

“Jemi në proces, pra më në fund morëm atë që na nevojitej nga Ministria Transportit dhe jemi në garë për një kartë të veçantë për qytetin e Tiranës. Është pjesë e rutinës, të cilën do ta mbyllim këtë vit. Por, ama bibliotekat e lagjeve janë falas. Unë them se secili prej nesh duhet të kalojë kohë të lexojë dhe të mos rrijë me mendimin se pa marrë kartën unë nuk lexoj tani. Pra, le t’i ndajmë gjërat: procesi burokratik është në rrugë e sipër, ndërkohë mos e lejo që kjo të të kthehet në një barrierë mendore për të bërë gjëra shumë të dobishme”,

deklaroi ai.

Veliaj prezantoi edhe disa nga projektet e institucionit që ai drejton, si realizimi i intershipeve të paguara në Bashkinë e Tiranës apo nisma më e re për studentët që vijnë për herë të parë në kryeqytet, të cilëve do t’u bëhet një tur orientimi në qytet nga vullnetarët./tvklan.al