Ish-Presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont, duket i dorëzuar në betejën për pavarësinë e rajonit autonom. Ai thotë se pavarësia, tashmë nuk është zgjidhja e vetme dhe bën thirrje për dialog të ndërmjetësuar nga BE.

“E gjithë ajo që mund të bëhet nga jashtë, është favorizimi i një dialogu në interesin e katalanasve, spanjollëve dhe të gjithë europianëve. Nuk mund të imagjinohet një zgjidhje pa një bisedim që sheh pjesëmarrjen e një pale të tretë që mund të kryejë rolin e ndërmjetësuesit. Nuk kërkoj nga komuniteti europian të mbështesë pavarësinë e Katalonjës, por të mbështesë të drejtat e qytetarëve dhe të politikave themelore”.

 Kështu shprehet në një intervistë për mediat italiane, ish-lideri katalanas, Carles Puigdemont.

Më pyesin gjithnjë

 – bën me dije Puigdemont – se nëse pavarësia është zgjidhja e vetme. Unë përgjigjem duke thënë se nuk është rruga e vetme. Jemi të gatshëm për të punuar edhe në modele të tjera për të arritur një marrëveshje”. Gjithashtu ish-Presidenti i Katalonjës thotë se modeli zviceran respekton diversitetin kulturor dhe gjuhësor si dhe tregon se bashkëjetesa është e mundshme.

“Duhet pranuar tjetri si një subjekt politik, me të cilin duhet të dialogohet, pa linja të kuqe”

, shprehet Puigdemont duke nënvizuar se nuk ka arritur t’i tregojë Spanjës nevojën e bisedimeve.

“Ata duhej të na njihnin si aktor politik dhe jo si subjekt kriminal”

, shton ai.

Se cili do të jetë saktësisht roli i tij në të ardhmen, udhëheqësi katalanas përgjigjet: 

“Kjo varet. Nëse shteti spanjoll nuk vendos të kuptojë se duhet të fillojmë të flasim dhe të bëjmë politikë, nëse vazhdon me represionin, persekutimin gjyqësor, ndoshta do të duhet të qëndroj në mërgim disa vjet. Por nuk është dëshira ime. Unë punoj për një zgjidhje politike me negociata”,

 përfundon Puigdemont./abcnews.al