Në pritje të përgjigjes nga autoritetet katalanase, qeveria spanjolle ashpërson më tej masat, duke arrestuar dy anëtarë kyçe të lëvisjes për pavarësinë e Katalonjës.

Zhordi Sanchez dhe Zhordi Kuiksart akuzohen nga autoritetet spanjolle se, përmes shoqërive civile që drejtojnë, kanë orkestruar referendumin e paligjshëm të 1 tetorit dhe kanë organizuar protestat pro-pavarësi, që degjeneruan në djegien e makinave të policisë.

Presidenti katalanas Carles Puigdemont reagoi përmes një mesazhi në rrjetet sociale.

“Arrestimi i shoqërisë civile për organizim protestash paqësore, fatkeqësisht kthen të burgosurit politikë në Spanjë. Ata po përpiqen të burgosin idetë, por kanë forcuar nevojën tonë për liri”.

Arrestimi i mbështetësve të pavarësisë nxiti disa protesta në qytete të ndryshme të Katalonjës.

Marrëdhëniet mes Barcelonës dhe Madridit janë tejet të tensionuara pas ultimatumit që qeveria spanjolle u ka dhënë autoriteteve katalanase. Afati skadon të enjten. Nëse presidenti Puigdemiont nuk shprehet, qeveria aktivizon nenin 155, që parashikon heqjen e autonomisë së Katalonjës.

Tv Klan