Kathimerini print

Një mundësi e re për dialog me Shqipërinë. Kështu e cilëson gazeta greke Kathimerini vizitën e pritshme në Tiranë të Ministrit të Jashtëm grek në Tiranë, Nikos Kotzias si dhe paketën e propozimeve që ai do të hedhë për bisedime me palën shqiptare.

Bëhet fjalë për një tur ballkanik të shefit të diplomacisë greke në gjysmën e dytë të korrikut ku do të rivlerësohen disa çështje që sipas gazetës e kanë çuar Greqinë në një udhëkryq diplomatik me vendet e rajonit.

Ndalesa më e rëndësishme do të jetë padyshim Tirana me të cilën Athina ka një sërë problemesh të pazgjidhura dhe ku tensioni është rritur pas ardhjes në pushtet të socialistëve.

Gazeta shkruan se qeveria shqiptare e sheh vetën në pozita superiore të shfaqura jo vetëm në qëndrimet e kryeministrit Rama por edhe në disa veprime që kanë lënë të nënkuptohen se ajo do ta çojë paktin detar në Gjyqin e Hagës dhe levizje të tjera që vënë në diskutim çështjen e kufijve mes dy vendeve.

Sipas Kthimerini paketa e ministrit Kotzias në Tiranë do të përmbajë 7 pika, duke nisur me propozimin për një korrigjim teknik të paktit detar të nënshkruar në vitin 2009, pasi qeveria greke nuk pranon një rinegocim të kësaj çështjeje, por këmbëngul në një zgjidhje politike të problemit.

Pika e dytë e paktit është abrogimi i ligjit të luftës që është është miratuar nga qeveria greke që në vitin 1987 por që nuk u dekretua nga presidenti i atëhershëm  Kristos Sarxetakis. Pika e tretë është respektim i të drejtave të minoritetit etnik grek që sipas qeverisë greke janë shkelur rëndë me regjistrimin e popullsisë në vitin 2012, ku pakicës greke iu mohua e drejta  për të shprehur kombësinë.

Në këtë  çështje Athina do ishte e kënaqur me një anullim të regjistrimit të popullsisë të bërë në vitin 2012 dhe kryerjen e një regjistrimi të ri.

Kërkesë tjetër është ngritja e tre varrezave për të rënët greke të luftës së dytë botërore dhe premtimi nga pala shqiptare se partitë në pushtet nuk do të bashkëpunojnë kurrë me partinë e çamëve të Shpëtim Idrizit.

Në vizitën e ministrit Kotxias në Tiranë Athina do të angazhohet për të mbështetur integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe do të shprehë vullnetin për një njohje të mundshme të pavarësisë së Kosovës.

Gazeta shkruan se rivlerësimi i marrdhënieve të Greqisë me vendet e rajonit vjen në një kohë kur fqinjët e saj janë të përfshirë në struktura dialogu me shtete të Europës Qëndrore të udhëhequra nga Gjermania.

Tv Klan