Komisioni Evropian ka zbehur pak optimizmin në Beograd për deklaratën e Presidentit Juncker se Serbia do të anëtarësohej në BE përpara vitit 2025.

Në takimin e Këshillit te Asocimit me Serbinë, komisioneri Hahn tha se që të arrihet ky objektiv ambicioz në vitin 2025, duhet që të kompletohet negocimi në vitin 2023, sepse do të duhet kohë për ratifikimin e marrëveshjes në parlamentet e të gjitha vendeve anëtare.

Hahn tha se në muajin shkurt do të publikojë strategjinë e zgjerimit për të gjitha shtetet e rajonit. Strategjia, sipas komisionerit për zgjerimin nuk ka të beje me shtete specifike, por do të merret me situatën në rajon, jo vetëm me shtetet kandidate, por edhe ato anëtare për të harmonizuar politikën e përbashkët.

Shefja e diplomacisë evropiane Mogherini theksoi se shpresat e anëtarësimit të Serbisë në BE janë të ndërlidhura edhe me suksesin e dialogut me Kosovën. Kjo është pranuar edhe nga kryeministrja serbe Ana Brnabiç.

Kapitulli i 35-të, përshkon edhe kapituj të tjerë dhe nuk do të mbyllet derisa të mos ndodhë normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Deri tani Serbia ka hapur dhjetë kapituj dhe vetëm në dy prej tyre janë përmbyllur diskutimet.

Klan Plus