“Kemi kapur personin e gabuar”

kështu shkruan e përditshmja gjermane “Die Welt”, duke cituar burime të policisë së Berlinit. Sipas saj, i riu nga Pakistani, nuk është autori i sulmit me kamion ku mbetën të vrarë 12 persona dhe u plagosën me dhjetëra të tjerë.

Kjo do të thotë se autori i kësaj ngjarje është ende i lirë dhe i armatosur, duke përbërë rrezik për publikun. Sipas shefit të policisë së Berlinit, Klaus Kandt nuk është e mundur të konfirmohet që i ndaluari nga autoritetet, si autor i dyshuar i ngjarjes, drejtonte kamionin.

Vetë ky i fundit mësohet se i ka mohuar akuzat.

Këtë e konfirmoi edhe Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere, i cili tha 23 – vjeçari vinte nga Pakistani dhe se është futur në Gjermani më 31 Dhjetor të 2015 – ës.

Ai u arrestua në një park, rreth 2 kilometra nga tregu i Krishtlindjes në Perëndim të Berlinit, pak pas ngjarejs.

Më herët, në një dalje për mediat, Kancelarja gjermane, Angela Merkel u zotua se përgjegjësit e sulmit të Berlinit do të merrnin dënimin “më të egër që lejon ligji”.

Politika e saj për hapjen e dyerve për emigrantët, që rezultoi në ardhjen e 890 mijë azilkërkuesve në Gjermani, vitin e shkuar, ka ndarë përgjysmë vendin, me kritika të shumta se ka vënë në kërcënim sigurinë e vendit.

Tre sulme të ndryshme terroriste të ndodhura gjatë muajit Korrik nga refugjatët kanë tensionuar edhe më shumë situatën. /tvklan.al