Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, dëshmoi këtë mesditë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për kërcënimin e Emiljano Shullazit ndaj akademikëve Mynyr Koni e Dhori Kule. Për rreth 40 minuta Çako ka dhënë deklarimin e tij mbi rrethanat mbi të cilat ai është informuar mbi kërcënimin e dy akademikëve, gjatë periudhës së zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës.

Dëshmia e Çakos vjen pas asaj të ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe dëshmisë së Drejtorit të Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Ende nuk dihen detaje mbi dëshminë e kreut të Policisë, i cili është pyetur nga prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Eneid Nakuçi. Deklarimi i Çakos vlerësohet si vendimtar për të zbardhur të gjithë operacionin e policisë që çoi në prangosjen e të dyshuarve për kërcënimin e rektorëve. Kreu i policisë gjatë hyrjes së tij në prokurori shmangu mediat, duke mos preferuar të prononcohet.

Tv Klan