Pas dështimit të negociatave të së martës, Lulzim Basha paralajmëroi përshkallëzim të aksionit opozitar duke i shtrirë protestat në mbarë vendin. Kryeministrin Rama e ftoi ta presë në fushëbetejën e Kavajës në 7 maj, qytet në të cilin socialistët do të shkojnë për të votuar kryebashkiakun e ri, ndërsa demokratët për të protestuar dhe pamundësuar zgjedhjet.

“Duke nis nga sot kjo lëvizje do shtrihet e do çliroje sheshet e Republikës së vjetër përmes akteve të mosbindjes civile që do shpalosen njeri pas tjetrit. Javën e ardhshme nis armata popullore nga jugu ne veri.“

Kreun e qeverisë e paralajmëroi se nuk do të lejojë zgjedhje pa opozitën, teksa e ftoi të reflektojë për kërkesën e qeverisë teknike dhe mandatin e saj.

“Koha për ta zgjidh me dialog po shkon drejt mbarimit, çdo minutë reflektim është i mirëpritur. Votime pa opozitën s’do ketë, zgjedhjet të diktuara nga krimi s’do ketë. Zgjedhje pa qeveri teknike e pa largimin e Edi Rames nuk ka e s’do këtë…”

Propozimet e bëra nga kryeministri Rama gjatë takimeve me negociatorët europianë Basha i cilësoi pazar. Zgjidhja e vetme sipas tij për të garantuar zgjedhje të lira është largimi i Ramës nga kreu i qeverisë, ndonëse nuk përjashtoi që kryeministri i dalë nga qeveria teknike të jetë nga radhët e partisë më të madhe në qeveri.

“Nuk duam pushtet ne tavolinë, as postë ministri, as post Presidenti, asnjë post për kompromis të ndryrë në kurriz të zgjedhje të lira e të ndershme, s’kërkuam pushtet në tavoline…”

Sipas Bashës, kryeministri refuzon qeverinë teknike pasi përmes saj do të luftohet krimi e droga me të cilat kreu i opozitës thotë se Rama po tenton blerjen e zgjedhjeve në vend.

Tv Klan