Koreja e Veriut ka paralajmëruar të Premten se do të godasë bazat amerikane në Japoni dhe Kore të Jugut si dhe presidencën në Seul nëse Amerika sulmon Phenianin.

Agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA tha Ushtria e Koresë së Veriut premtoi se do të “shkatërrojë pa mëshirë” SHBA-të nëse aeroplanmbajtësja dhe luftanijet amerikanë që janë nisur për në rajon do të nisin agresionin ndaj vendit të tyre.

Ushtria tha në një komunikatë se “kundërpërgjigja jonë kundër SHBA-ve dhe vasalëve të tyre do të jetë kaq e pamëshirshme saqë s’do u japë mundësi mbijetese.”

Të Premten, Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi paralajmëroi se tensionet mes SHBA-ve dhe Koresë së Veriut ishin përshkallëzuar deri në një pikë të tillë që “konflikti ushtarak mund të nisë çdo moment”.

Më herët, Koreja e Jugut paralajmëroi Veriun të mos përfshihej në asnjë “provokim” të tillë si teste bërthamore apo raketrore, për të shënuar “Ditën e Diellit”, 105-vjetorin e lindjes së themeluesit të Koresë së Veriut, Kim Il Sung, ditë e cila do të shënohet të shtunën./tvklan.al