Mëngjesi në Dubrovnik është i qetë. Qyteti nuk është zgjuar ende ndërsa makina jonë ka ndaluar rrugëtimin e gjatë nga Tirana në dyert e Gjykatës së Shkallës së Parë aty ku në njërën nga qelitë e kësaj gjykate qëndron prej disa muajsh në pritje të një urdhri ekzekutimi ekstradimi nga Serbia, Ismail Morina, apo ndryshe Ballist Morina i Dronit te Beogradit. Surpriza e parë vjen jashtë dyerve të Gjykatës.

Një mesogrua vendase ndërsa na pyet nga jemi dhe mëson se jemi shqiptarë, na befason duke na thënë se

“Këtu brenda shqiptarët kanë një hero

“. Takimi me Ballist Morinën nuk vonon. Ndryshe nga portreti i shpupurisur me flokë të dendura, pertej xhamit të trashë na shpërfaqet një Ballist me flokë të shkurtra, të rregullta, me pak mjekër që ja nxjerr më shumë në pah imtësinë e fytyrës, i veshur me tuta sportive. Ndryshe nga letrat me natyrë të dëshpëruar që qarkullojnë në emër të tij në Tiranë, Ballisti duket me moral të lartë dhe i çlirët në bisedë.

“Jam mirë thotë, të vetmin hall që kam janë familja dhe fëmija i tretë që pres”.

I pyetur për trajtimin që i është bërë nga pala kroate, Ballisti përpiqet t’i justifikojë në vendimet e tyre.

“Edhe këta nuk kanë faj, kanë rënë në hall pasi u kam ngecur në derë. Pasi kjo tashmë është një luftë midis Shqipërisë dhe Serbisë, dhe Kroacia nuk ka kujt t’ja prishë”.

Dy vendimet e gjyqësorit kroat pro ekstradimit të tij ne Serbi, Morina i quan deri diku procedura normale. Por ai nuk ka ndërmend të dorëzohet.

“Unë i gjallë në Serbi nuk shkoj. Ja ku po ta them. Unë kam kërkuar azil politik, po kështu edhe liri me kusht deri në shqyrtimin e azilit, por deri tani më është refuzuar tre herë lirim me kusht me arsye se jam ndaluar pasi kam shkelur territorin kroat dhe kanë frike mos arratisem. Por unë s’kam ndërmend ta bej një gjë të tillë. Une e konsideroj veten të burgosur politik”.

I pyetur për akuzat e Serbisë, si edhe kërcënimet që kanë ardhur nga elementë keqbërës serbë, Morina thotë se akuzat për fyerje raciste ndaj serbëve i cilëson qesharake ndërsa për kërcënimet me vdekje i kanë ardhur në vesh në qeli, por vetëm të vdekur mund ta kenë këtë kënaqësi serbët.

Sa për autoritetet shqiptare, Morina thotë se ka pasur interesimin direkt të ambasadorit shqiptar në Zagreb, si edhe të Konsullit të Nderit.

“Unë nuk dua ta lë këtë punë në dorë thjesht të ministrit të Drejtësisë kroate, paçka falenderimit që mund të kem për interesimin e tyre të vazhdueshëm. Une do të luftoj deri në fund që të paktën të përfitoj azil politik. Kjo sigurisht do të zgjasë si procedurë. Apeli që kam për shqiptarët dhe politikën është që të vazhdojnë të më mbështesin”

, përfundon Ballist Morina duke shpresuar në një lirim sa më të shpejtë të tij. /Dritan Laci-Opinion