Vendet anëtare të G7-ës pritet të mblidhen javën e ardhshme në Rumani për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën

Kievi vijon që të mbetet pa energji elektrike për shkak se infrastruktura energjetike është e dëmtuar shumë rëndë.

Në kryeqytet tanimë është ngritur alarmi për sulme të tjera dhe njerëzit janë urdhëruar që të mbledhin rezerva si ushqim dhe ujë të pijshëm. Një qytet me tre milionë banorë, 60% e banorëve janë pa energji elektrike mes temperaturave nën zero.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se ndërsa energjia, nxehtësia, komunikimet dhe uji janë rivendosur në disa qytete gradualisht, problemet ende ekzistojnë me furnizimin me ujë në 15 rajone.

Dimri i parë i luftës tani do të testojë nëse Ukraina mund të vazhdojë me fushatën e saj për të rimarrë territorin, apo nëse komandantët rusë mund të ndalojnë vrullin e Kievit. Sulmet ruse kanë dëmtuar një spital në Zaporizhzhia por fatmirësisht pa viktima. Bombardimet vijnë pasi Rusia mbylli të gjitha centralet bërthamore të Ukrainës  njëra prej të cilave ndodhet në Zaporizhzhia. Ndërkaq të gjitha stacionet e energjisë bërthamore në pjesën e kontrolluar nga qeveria të Ukrainës janë në funksionim përsëri dhe janë të lidhur me rrjetin kryesor të energjisë elektrike.

Sekretari i Jashtëm britanik James Cleverly gjatë një takimi me presidentin ukrainas njoftoi se do të japë miliona Paund në mbështetje shtesë për Ukrainën ndërsa vendi po me krizën më të rëndë energjetike. Në një konferencë për shtyp Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se nuk do të ketë asgjë të qëndrueshme nëse Rusia fiton në Ukrainë. Ai tha se NATO do të vazhdojë mbështetjen e saj për Ukrainën.

 “Në takimin e ministrave të jashtëm javën e ardhshme, do t’u bëj thirrje aleatëve që të rrisin më tej mbështetjen. Synimi i qëllimshëm i infrastrukturës civile dhe civilëve është një krim lufte dhe për këtë arsye është kaq shumë e rëndësishme që të kryhen hetime, që të vërtetohen të gjitha faktet”, ka thënë Jens Stoltenberg.

Ukraina dhe Rusia kanë këmbyer sërish  rreth 100 të burgosur. Të burgosurit ukrainas janë të mbijetuar nga fabrika Azovstal. Ndërkaq në një raport të fundit nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur është zbuluar se mbi 15 mijë njerëz janë zhdukur gjatë luftës në Ukrainë.

Klan News