Pasi diktatori Kim Jong Un u tërhoq dhe deklaroi se do të presë çfarë do të bëjë Amerikan, Kina ka ndërhyrë duke i kërkuar SHBA-së dhe Koresë së Veriut që të ndalojnë urgjentisht veprimet e tyre dhe fjalët provokative.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi tha se zgjidhja në mënyrë paqësore e çështjes bërthamore në gadishullin korean është në interes të të gjitha palëve të përfshira, duke përfshirë Kinën dhe Rusinë. Këto deklarata ministri i Jashtëm kinez i bëri gjatë një bisede telefonike me homologun e tij rus Sergey Lavrov.

Wang u shpreh gjithashtu i gatshëm që të bashkëpunojë për këtë çështje duke forcuar komunikimin strategjik mes vendeve duke punuar së bashku për të kontrolluar situatën dhe për të parandaluar një krizë akoma më të thellë. Ministri i Jashtëm i Kinës dhe ai i Rusisë dolën gjithashtu kundër SHBA-së, duke thënë se aventurat ushtarake dhe kërcënimet e forcës kundër Koresë së Veriut ishin të papranueshme.

Disa ditë më parë, Presidenti i SHBA Donald Trump kërcënoi Korenë Veriore se do të përballet me “zjarr dhe tërbim”. Nga ana tjetër, shteti komunist tha se po harton një plan që në mes të gushtit të godasë me raketa ishullin Guam, territor i SHBA, ndërsa sot lideri Kim Jong Un u tërhoq.

Gjatë ditëve në vazhdim, dy vendet vazhduan me kërcënime reciproke. Kurse Kina deklaroi hapur se në rast sulmi nga Korea e Veriut, do të qëndronte neutrale. Në të kundërt, nëse SHBA sulmonte e para, atëherë do të ndërhynte për të ndalur konfliktin dhe për të qetësuar situatën në gadishullin korean. Kina është i vetmi aleat i Koresë së Veriut dhe partneri tregtar e ekonomik.

/tvklan.al